Kërkohet “disiplinimi” i Listës Serbe
Përfaqësuesit e rinj të serbëve shihen si kërcënim për konceptin kushtetues të Kosovës. Është e papranueshme të thuash se nuk di çka ka ndodhur në Kosovë. Mohimi i holokaustit në Francë është i dënueshëm me ligj.
Lajme
Subjektet politike të serbëve të Kosovës janë defaktorizuar prejse Lista Serbe u sponsorizua nga Beogradi zyrtar dhe mori pushtetin në nivele lokale dhe zuri gati të gjitha ulëset e rezervuara për serbë në Kuvendin e Kosovës.
Përfaqësuesit e rinj ia kontestojnë shtetësinë Kosovës edhe me deklarata e edhe me veprime, shkruan sot Koha Ditore.
Kryeministri Isa Mustafa u është kundërpërgjigjur në heshtje këtyre veprimeve.
Por analistët i kanë bërë thirrje të veprojë. Dren Doli e Lumir Abdixhiku kanë thënë se kundërpërgjigjja duhet të jetë me masa shkarkimi.
Juristi Dren Doli, pjesë e Grupit për Studime Juridike dhe Politike ka thënë se veprime të tilla nga kjo parti, përmbysin besimin në dialogun Kosovë-Serbi.
“Këto prandaj jo vetëm që përmbysin besimin në procesin e dialogut, por edhe shembin mundësinë që Lista Serbe të konsiderohet partner në ndërtimin e së ardhmes së Kosovës, tashmë të ndarë nga Serbia”, ka thënë ai.
Ekonomisti Lumir Abdixhiku, drejtor në Institutin Riinvest, po kështu ka shprehur domosdoshmërinë që kryeministri të lëvizë.
“Është e papranueshme të thuash se nuk di çka ka ndodhur në Kosovë. Mohimi i holokaustit në Francë është i dënueshëm me ligj. Duhet nxjerrë një ligj. Ai që i mohon luftën dhe viktimat në Kosovë duhet të dënohet”, ka thënë Abdixhiku.