Kërkohen masa të tjera kundër politikës së Serbisë

Njohësit e çështjeve politike në vend po kërkojnë që Kosova t’i kundërpërgjigjet ofensivës së Serbisë me masa shtesë.

Lajme

27/05/2019 08:04

Përveç taksës ata po kërkojnë që Kosova të përdorë edhe mjete të tjera diplomatike deri në ndaljen e sulmeve të Serbisë dhe arritjen e reciprocitetit të plotë, shkruan sot gazeta “Zëri”.

Serbia po vazhdon sulmet e saj ndaj shtetit të Kosovës.

Drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, gjatë ditës së djeshme ka kritikuar kryeministrin e Kosovës Ramush Haradinajn për qasjen e tij kundër dialogut.

Ai e ka fajësuar Haradinajn se përgjatë dy vjetëve të qeverisjes i ka shkatërruar të gjitha marrëveshjet Kosovë – Serbi. Madje Gjuriqi u shpreh se Serbia është e gatshme të arrijë marrëveshje me Kosovën nëse kjo u garanton serbëve në veri autonomi me standardet më të larta evropiane dhe botërore. Mirëpo një gjë e tillë është e papranueshme si për Qeverinë e Kosovës, ashtu edhe për opozitën.

Njohësit e çështjeve politike në vend theksojnë se Kosova duhet t’i ndalë këto sulme të Serbisë me mjete diplomatike dhe me masa tjera siç ka qenë edhe taksa.