Kërkohen marrëdhënie zyrtare Kosovë- NATO
Presidentja Atifete Jahjaga priti Komandantin Suprem të NATO’s, Gjeneralin Philip Breedlove. Ajo tha se gjenerali e gjen Kosovën dhe rajonin në një fazë të rëndësishme dhe të ndjeshme të normalizimit mes marrëdhënieve shtetërore.

Lajme
Presidentja Atifete Jahjaga në takim me Komandantin Suprem të NATO’s, Gjeneralin Philip Breedlove diskutuan sot për zgjedhjet lokale, dialogun Kosovë-Serbi, ndërtimin e mëtutjeshëm të infrastrukturës së sigurisë në Kosovë dhe integrimin në aleancën veriatlantike.
“Komandanti i NATO’s e gjen Kosovën dhe rajonin në një fazë të rëndësishme dhe njëherit të ndjeshme të normalizimit të marrëdhënieve mes shteteve, të cilat kërkojnë investimin e mëtejshëm të NATO’s dhe forcës së saj paqeruajtëse, KFOR, në Kosovë për të garantuar sigurinë dhe për të krijuar një ambient që mundëson integrimin e të gjitha komuniteteve në vendin tonë”.
Jahjaga theksoi se institucionet e vendit janë përqendruar për të zgjidhur nyjat politike që sigurojnë integrim të plotë të vendit për të vendosur rendin dhe ligjin ne çdo cep të territorit të Kosovës, thuhet në komunikatën e lëshuar për media nga Presidenca e Kosovës.
“Kërkoj nga bashkësia ndërkombëtare që të mbikëqyrë zbatimin e marrëveshjeve të arritura në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë në Bruksel dhe të kushtëzojë përparimin e dy vendeve drejt integrimit në BE me suksesin e implementimit të tyre”.
Presidentja Jahjaga kërkoi nga Komandanti Suprem i NATO’s gjithashtu që të gjenden modalitetet që do të lejojnë vendosjen e marrëdhënieve zyrtare mes NATO’s dhe Republikës së Kosovës si përmbushje e vizionit të shtetit tonë për të realizuar integrimet evroatlantike dhe anëtarësimin eventual në NATO.
Ndërsa Komandanti Suprem i NATO’s, Gjenerali Breedlove, nënvizoi gatishmërinë e tij dhe forcave të KFOR’it që do të vazhdojnë garancinë e përbashkët të suksesit ndërmjet bashkësisë ndërkombëtare dhe qytetarëve të Kosovës.
“Përgëzoj Presidenten Jahjaga për përpjekjet e Kosovës për të integruar të gjitha komunitetet në jetën institucionale dhe shoqërore dhe në normalizimin e marrëdhënieve me shtetet fqinje”, citohet të ketë thënë Gjenerali Breedlove.
Gjenerali nga NATO, Philip Breedlove është takuar sot edhe me Zëvendës Kryeministrin e Kosovës, Hajredin Kuçi. Në takim ka qenë i pranishëm edhe Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Agim Çeku.
Në këtë takim është biseduar për bashkëpunimin e Kosovës me NATO’n dhe për qëllimet që janë për një bashkëpunim konkret në mes të Kosovës dhe NATO’s.
Zëvendëskryeministri Kuçi ka falënderuar Gjeneralin Breedlove për punën dhe kontributin që NATO po jep përmes KFOR’it për Kosovën. Ai tha së kontributi i NATO’s është edhe stabilitet jo vetëm për Kosovën, por edhe për tërë rajonin.
Temë e takimit ishte edhe ngritja e kapaciteteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës në përputhje me synimet e saja për shtet sovranë e të pavarur, me qëllimin që të ketë një rrugë të qartë për anëtarësim në NATO.