Kërkesat në Andorra

Ministri i Jashtëm, Enver Hoxhaj, u takua me homologun e Andorrës, Gilbert Saboya. Kërkoi nga ai mbështetje për Kosovën në synimin që të bëhet pjesë e sistemit ndërkombëtar.

Lajme

17/01/2014 15:52

Ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, ka vizituar Principatën e Andorrës, ku është takuar me Ministrin e Jashtëm të këtij vendi, Gilbert Saboya dhe Presidentin e Parlamentit, Vicenc Mateu.

Në vizitën e parë zyrtare në këtë shtet, Ministri Hoxhaj e ka falënderuar homologun e tij për vendimin e njohjes së pavarësisë, si njohja e parë pas emërimit të tij në postin e Ministrit të Jashtëm të Kosovës

Në një njoftim të MPJ, thuhet se Hoxhaj ka folur për koordinimin me homologun e tij Saboya rreth disa iniciativave të ardhshme të aplikimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare, ku i kërkoi votën dhe mbështetjen politike.

“Kam pasur një takim jashtëzakonisht të mirë me ministrin e Jashtëm të Andorrës dhe kjo ka qenë vizita ime e parë në këtë vend që pas marrjes së vendimit për ta njohur Kosovën në vitin 2011”.

“Biseduam për atë se si mund të lëvizim përtej marrëdhënieve diplomatike ndërmjet vendeve tona, si të ketë bashkëpunim në disa fusha të ndryshme të jetës, prej ekonomisë, arsimit, turizmit dhe shumë fushave të tjera.”

“Po ashtu, kërkova nga ministri i Jashtëm i Andorrës që gjatë këtij viti, kur Kosova të aplikojë nëpër organizata të ndryshme për anëtarësim, ne ta kemi votën dhe mbështetjen politike të Andorrës me qëllim që të bëhemi pjesë e sistemit ndërkombëtar”, ka deklaruar Ministri Hoxhaj.

Ministri Enver Hoxhaj me Kryetarin e Parlamentit të Andorrës, Vicenc Mateu

 

Ministri i Jashtëm i Andorrës, Gilbert Saboya, siç thuhet në njoftim, ka nënvizuar faktin e marrëdhënieve të mira diplomatike që pas njohjes së Kosovës dhe shqyrtimin e mundësive për të bashkëpunuar në fusha të ndryshme.

“Ishte kënaqësi ta prisja Ministrin e Punëve të Jashtme dhe ekipin e tij që është në vizitën e tij të parë zyrtare në Andorra. Diskutuam për marrëdhëniet tona bilaterale të cilat janë të mrekullueshme, normalisht të reja. Po ashtu kemi folur edhe për mundësinë e zgjerimit të marrëdhënieve tona përtej këtyre diplomatike e politike, në mundësi konkrete për të bashkëpunuar në fushën e ekonomisë, veçmas atë të turizmit, arsimit apo shërbimeve”, ka thënë Ministri Saboya.

Hoxhaj është pritur edhe nga Presidenti i Parlamentit të Andorrës, Vicenc Mateu.

Në takim, po ashtu, janë diskutuar modalitetet e bashkëpunimit ndërmjet vendeve, e veçmas në aspektin e parlamentarizmit.

Presidenti i Parlamentit të Andorrës, siç thuhet, ka shprehur gatishmërinë e tij dhe të institucionit që përfaqëson për ta thelluar edhe më tej bashkëpunimin me Kosovën.

“Suksesi që ka shënuar Kosova në këto vitet e fundit na bën të lumtur dhe urojmë që kjo të vazhdojë”, ka thënë Presidenti i Parlamentit të Andorrës.