Kërkesat e komunave për heqjen e orës policore, flasin nga Ministria e Shëndetësisë

Asosacioni i Komunave të Kosovës së shpejti do të mbajë takim me krerët e komunave, ku pritet të diskutohet për masat anti-COVID të vendosura nga Qeveria e Kosovës.

Lajme

08/12/2021 22:10

Kreu i AKK-së, Sazan Ibrahimi, në një prononcim për lajmi.net ka thënë se kërkesat e tyre janë legjitime dhe janë të koncentruara në disa çështje.

“Jemi të koncentruar tek çështja e vaksinimit që ekipet mobile të dalin në fshatra e terren më shumë dhe të mos presin vetëm në qendra urbane. Pastaj e dyta është heqja e orës policore, pasi që nuk ka argument shkencor që kjo masë ndikon në rritjen e numrit të të infektuarve. Në fund, heqja e detyrimit për bartjen e maskës kur jeni duke ecur vetëm në ambient të jashtëm. Kur jeni duke ecur vetëm nuk ke nevojë të bartësh maskën, ajo mund të jetë e obligueshme në ambiente të brendshme, por jo jashtë. Ne kemi qenë në komunikim me asosacionet e Evropës Juglindore, askund nuk ka që kur jeni duke ecur vetëm në ambient të jashtëm të mbani maskat”, ka thënë ai.

Ibrahimi ka thënë se kërkesat nuk i kanë dorëzuar zyrtarisht tek institucionet përkatëse, por ka thënë se kjo pritet të ndodhë pasi të përfundojnë procedurat e pranim-dorëzimit të kryetarëve të komunave pas zgjedhjeve të fundit lokale.

Në anën tjetër, nga Ministria e Shëndetësisë kanë thënë se masat që janë në fuqi janë të vlefshme deri në ndonjë rishqyrtim tjetër të tyre.

“Masat që janë në fuqi janë të vlefshme deri në ndonjë rishqyrtim tjetër të tyre apo në vendime të reja. Përderisa janë në fuqi, ato duhet respektuar nga të gjithë”, thuhet në përgjigjen e MSH-së për lajmi.net.

Nga MSH-ja kanë theksuar se institucioni kompetent për të bërë vlerësime dhe rekomandime rreth situatës epidemiologjike dhe masave kundër COVID-19 është Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës.

Qeveria e Kosovës ka miratuar masat e reja kundër COVID-19 para disa ditësh, ndërsa nuk kanë mohuar mundësinë e shtrëngimit apo lirimit të tyre bazuar në situatën epidemiologjike në vend. /Lajmi.net/