Kërkesa e vazhdueshme për Asociacion dhe lëvdatat për Serbinë, Osmani e pranon se situata në Kosovë është e tensionuar

Marrëdhëniet e Kosovës me Serbinë vazhdojnë të jenë të tensionuara. Gjatë muajve të fundit një presion i vazhdueshëm është bërë në drejtim të Kosovës, në mënyrë që të pranohet formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Derisa Kosovës nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian i kërkohet një gjë e tillë, Serbia…

Lajme

05/02/2023 17:02

Marrëdhëniet e Kosovës me Serbinë vazhdojnë të jenë të tensionuara.

Gjatë muajve të fundit një presion i vazhdueshëm është bërë në drejtim të Kosovës, në mënyrë që të pranohet formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Derisa Kosovës nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian i kërkohet një gjë e tillë, Serbia vazhdon të “vlerësohet, falënderohet e t’i shprehet mirënjohje” për të gjithë bashkëpunimin në kuadër të dialogut.

Së situata në Kosovë nuk është aspak e qetë e ka pranuar edhe vetë presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Në një intervistë të dhënë së fundi për “Vecernji list”, Osmani tha se situata në Kosovë është jashtëzakonisht e tensionuar dhe se situata me Serbinë kanë ngecur.

“Situata në Kosovë është jashtëzakonisht e tensionuar, negociatat disi kanë ngecur, nuk ka dinamikë. Megjithatë, kohët e fundit Miroslav Lajçak dhe Gabriel Escobar mbërritën dhe njoftuan një raund të ri bisedimesh. Është e rrezikshme të kesh një fqinj si Serbia, NATO dhe forcat tona do të parandalojnë skenarët e Vuçiqit”, ka theksuar presidentja Osmani.

Osmani hodhi poshtë çdo mendim për ndarjen e vendit, ndërsa ka vënë në dukje se kjo do të hapte kutinë e Pandorës.

Se Kosova gjendet para një zgjidhje, të Asociacionit kjo tashmë është konfirmuar nga të gjitha instancat.

Dy zyrtarët e lartë shtetërorë të Amerikës, Derek Chollet dhe emisari Gabriel Escobar  lëshuan një deklaratë të përbashkët në të cilën bënin thirrje që të themelohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe.

Po ashtu në këtë deklarim të përbashkët u theksua garanci e fuqishme se SHBA janë në mbështetje të Kosovës dhe se Kushtetuta e saj nuk do të cenohet nga ky Asociacion.

“Brenda kornizës së dialogut të lehtësuar nga BE-ja, Kosova mund të refuzojë opsionet që kërcënojnë strukturën e saj ligjore, por nuk mund të refuzojë zotimet e saj.  Si vendi më pro-kosovar në botë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të përkushtuara të mbështesin popullin e Kosovës për të siguruar që struktura e saj kushtetuese dhe ligjore nuk cenohet”, thuhet në këtë reagim.

Në thelb të këtij deklarimi nga zyrtarët Chollet dhe Escobar thuhej se “Amerika si mikja dhe aleatja” më e afërt e Kosovës, beson se duhet punuar për themelimin e këtij Asociacioni.

“Si mikja dhe aleatja më e afërt e Kosovës, ne besojmë se duke punuar për themelimin e Asociacionit, Kosova do të përmbushë një element kritik të nevojshëm për ndërtimin e të ardhmes së saj të drejtë si shtet sovran, shumetnik dhe i pavarur, i integruar në strukturat euroatlantike”, thuhet tutje në letrën e Chollet dhe Escobar.

Ata thonë se Asociacioni nuk do t’ia shtonte qeverisë së Kosovës një shtresë të re të pushtetit ekzekutiv dhe legjislativ.

Në kuadër të të këtyre thirrjeve të vazhdueshme për Kosovën, në ditët e kaluara zyrtarët amerikanë kanë ngritur lartë pozitën e Serbisë sa i përket dialogut dhe zhvillimeve me Kosovën.

Madje ata kanë falënderuar presidentin serb, Aleksandar Vuçiq që sipas tyre po bashkëpunon me zyrtarët amerikanë për arritjen e një zgjidhje.

Pas gjithë këtyre, kryeministri i vendit, Albin Kurti, në seancën plenare të së enjtes ka deklaruar se janë gjashtë kushte që pa u plotësuar ato assesi s’do të arrihet marrëveshja për Asociacionin.

I pari i Qeverisë së Kosovës tha se është i gatshëm për takime të rregullta, derisa kërkoi që sa më parë të ketë takime ku do të finalizohen marrëveshjet.

Ai tha se asgjë tjetër përpos normalizimi i plotë i marrëdhënieve në mes Kosovës dhe Serbisë me njohje reciproke nuk garanton të drejtat e pakicave.

Kurti theksoi se në një shtet normal demokratik nuk diskriminohen pakicat, po mbrohen dhe ruhen si shoqëri.

Ai theksoi se në një, Asociacioni duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi, Asociacioni s’mund të ketë pushtet publik dhe ekzekutiv.

Gjashtë kushtet që sipas Kurtit do të mund të çonin në arritjen e Asociacionit:

Asociacioni duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi në Republikën e Kosovës.

Asociacioni nuk mund të jetë monoetnik, duhet të ndërrojë emrin, nuk mund të ketë/bartë asnjë pushtet publik (apo ekzekutiv) dhe duhet t’i shërbejë vetëm bashkëpunimit horizontal të komunave sipas Kushtetutës dhe ligjit për vetëqeverisje lokale (kreu 5).

Të drejtat e pakicave kombëtare dhe mekanizmat mbrojtës përkatës duhet ta ngërthejnë parimin e reciprocitetit ndërmjet dy shteteve respektive si dhe të marrin parasysh standardet dhe modelet evropiane.

Para vendosjes së Asociacionit, strukturat ilegale të Serbisë në veri shuhen dhe bëhet dorëzimi i të gjitha armëve ilegale.

Asociacioni është pjesë e marrëveshjes finale dhe zbatohet pas njohjes reciproke. Dhe vetëm pasi Serbia t’i ketë pranuar parimet e Kartës së Organizatës së Kombeve të Bashkuara në raportet e saj ndërshtetërore me Republikën e Kosovës.

Presidenti i Serbisë i tërheq letrat e dërguara te pesë shtetet anëtare të BE-së, dhe tek të tjerat, për mospranimin e aplikimit të Republikës së Kosovës për anëtarësim në Bashkimit Evropian që paraqet edhe shkelje të po asaj marrëveshjeje Thaçi-Daçiq të 19 prillit 2013./Lajmi.net/