Kërcënonte adoleshenten, ekstradohet në Itali pedofili shqiptar

Italia ka ekstraduar sot nga Shqipëria një 68-vjeçar të shpallur në kërkim ndërkombëtar për dhunë seksuale, shpërndarje të materialit pornografik dhe persekutim ndaj një minoreneje.

Lajme

29/01/2016 22:44

Dedej Hamet Suleimani u arrestua pas denoncimit të bërë nga nëna e një vajze 14-vjeçare, banore në provincën e Salernos. Nën kërcënimin e 68-vjeçarit vajza prej dy vitesh kishte dërguar përmes internetit video erotike të realizuara me ueb-kamera. Në hard-diskun e të arrestuarit janë gjetur 52 filmime pedopornografike, imazhe të shumta vajzash marra me ueb-kamera, imazhe të mbesës së tij të mitur si dhe fotografi të shumta të vajzës së tij të rritur të marra ndërsa ajo kryente marrëdhënie intime me bashkëshortin e saj.

Ky është rasti i parë në Itali por dhe në Evropë që një nënshtetas i huaj, pa shkelur në vendin e personit të dëmtuar arrestohet me krimin e dhunës me qëllim seksual i konsumuar me anë të internetit dhe në dëm të një minoreneje.

Në konferencën për shtyp prokurori italian i çështjes u shpreh: “Ky proces na ndihmon të informojmë prindërit se ekziston një rrezik mjaft i rëndë në ueb, ndaj është e domosdoshme të vigjilohet te fëmijët që e përdorin internetin shpesh të pavetëdijshëm, duke injoruar rreziqet ndaj të cilit ekspozohen. Këto rreziqe të çojnë në kërcënime dhe me sfond seksual, që janë gjëja më e keqe që mund të turbullojë qetësinë e jetës së fëmijëve apo adoleshentëve. Prindërit, të ndihmuar dhe nga ekspertë të informatikës, duhet të shmangin ngjarje të tilla duke vendosur filtra ndaj ueb-faqeve që mund të ndikojnë psikologjikisht te fëmijët me veprime me pasoja të pakontrollueshme”.