Kërcënon Irani: Do t’i shkatërrojmë të gjithë agresorët

Shefi i Rojeve Revolucionare të Iranit, Hossein Salami, ka thënë se vendi i tij do ta ndjekë dhe do ta shkatërrojë çdo agresor, edhe nëse ata kryejnë ndonjë sulm të kufizuar.

Bota

21/09/2019 15:46

“Kini kujdes, një agresion i kufizuar nuk do të mbetet i kufizuar. Do ta ndjekim secilin agresor. Ne qëndrojmë prapa ndëshkimit dhe do të vazhdojmë deri në shkatërrimin e plotë të secilit agresor”, tha gjenerali Salami.

Reagimet e shefit të forcave speciale të Iranit erdhi pasi presidenti amerikan, Donald Trump, e miratoi të premten dërgimin e trupave shtesë në Arabinë Saudite për ta forcuar sigurinë dhe aftësitë e mbrojtjes ajrore të shtetit saudit pas sulmeve në stacionet e naftës.

Shtetet e Bashkuara kanë thënë se prapa këtyre sulmeve qëndron Irani, por republika islamike e ka mohuar përfshirjen në to. Përgjegjësinë për sulmet me dronë e kanë marrë rebelët “Houthi”, të cilët dyshohet se kanë lidhje me Iranin.

Ndryshe, Amirali Hajizadeh, i cili e udhëheq forcën ajrore të Rojeve Revolucionare, tha se çfarëdo sulmi ndaj Iranit do të merrte kundërpërgjigje shkatërruese.

Për më tepër, ministri i jashtëm iranian i ka dënuar sanksionet e Shteteve të Bashkuara ndaj Bankës Qendrore, duke thënë se ato janë shenjë e dëshpërimit të amerikanëve, shkruan “Reuters”, transmeton Gazeta Express.