Kërcënohet nxënësi me thikë në “Meto Bajraktari” (FOTO)

“Ndoshta bëhet fjalë për ndonjë lojë me brisk të vogël”, i kishte thënë drejtoresha e shkollës fillore “Meto Bajraktari” prindit të shqetësuar, pasi dikush më i madh se sa fëmijët e klasës së tretë ia kishte kërcënuar të birin me thikë në oborrin e shkollës që gjendet në Prishtinë.

Lajme

06/03/2015 18:00

“Më 25 shkurt e lash djalin te dera e shkollës. E pashë kur hyni brenda në oborr të shkollës. Kur jam kthy me marrë në orën 5 pa 10, më ka dalë djali i zbehur. E pyeta se çfarë kishte ndodhur, më tha se dikush kishte dashur t’i mëshonte me thikë në oborrin e shkollës”.

Kështu nis rrëfimin prindi i nxënësit 9 vjeçar J.B, me inicialet V.B, i cili thotë se me të marr vesh për rastin ishte nisur drejt policisë për t’u deklaruar.

Dy ditë pas kërcënimit që i është bërë djalit, dhe pas deklarimit në polici, kjo e fundit e ka udhëzuar babanë t’i drejtohet shefit të hetuesisë për këtë rast i cili ishte zotuar se do t’i kthente një përgjigje të hënën e 2 marsit. Por, kjo s’ka ndodhur as sot, të enjten e 5 marsit.

a

Me të përfunduar me policinë, babai i vendosur për të zbardhur të vërtetën kishte marrë incizimet që drejtoresha e shkollës ia kishte ofruar gjatë periudhës kur djali po futej në shkollë, por, ka mbetur edhe më i trembur se ç’ishte kur kishte kuptuar që incizimi nuk përputhej fare me rrëfimin e djalit dhe të shokëve të tij që dëshmojnë lidhur me kërcënimin me thikë.

Videoja e 25 shkurtit, e kohës kur djali futet në shkollë nga oborri i objektit, e tregon krejtësisht të qetë dhe nën shoqëri të shokëve futjen e tij brenda në shkollë. Edhe pse, J.B vetë dhe dëshmitarët tregojnë se ai i frikësuar me vrap ka ikur nga kërcënuesi për t’u futur në objekt.

Një gjë e tillë ja ka zgjuar dyshimin prindit që videoja është ndërruar me një incizim të një diteje tjetër, duke shfrytëzuar si alibi xhaketën e djalit të cilën e ka bartur për tri ditë rresht. Ky fakt, nga josiguria, e ka shtyrë V.B. ta këmbëngulë në një hetim më serioz nga Policia të videove, ose ta bëj çregjistrimin e të birit nga kjo shkollë.

aaa

Lajmi.net ka vizituar edhe shkollën fillore Meto Bajraktari, ku ka zhvilluar një bisedë edhe me drejtoreshën e kësaj shkolle, Valbona Bajraktarin lidhur me sigurinë.

Edhe vetë kjo, pranon se marrëveshja që kanë me policinë, që ta sigurojë terrenin e shkollës, po neglizhohet sidomos kohëve të fundit. Ndërsa thotë se një gjë të tillë ndoshta e ka shkaktuar marrja e policisë me protesta dhe probleme tjera.

“Ne kemi një bashkëpunim me policinë e Kosovës, dhe ata janë të obliguar të na vinë kohë pas kohe, në kohën e ndërrimit për arsye të fluksit të madh të nxënësve të cilët dalin dhe hyjnë. Infrastruktura e shkollës është shumë e papërshtatshme karshi të gjitha shkollave sepse kemi hapësirë shumë të vogël edhe para dhe mbrapa shkollës”.

“Por, edhe policia në kuadër të zhvillimeve që kanë ndodhur ndoshta, protesta e probleme të tjera, sikur sivjet janë pak më neglizhentë sesa viteve të mëparshme”, tha ajo.

aaaa

Për rastin në fjalë, Bajraktari thotë se kanë bërë aq sa kanë mundur për ta zbuluar kërcënuesin. Ndërsa përmend se edhe mësuesja bashkë me të kërcënuarin, kanë shëtitur klasë-më-klasë për të identifikuar ndoshta figurën e kërcënuesit. Por, ka qenë e pamundur.

“I kemi thënë djalit a di të na tregosh se si dukej ai që të ka kërcënuar, ai ka thënë se ka pas gjaket të kaltër, ka pas syze, dhe ka pasur flokë të verdhë. Mbi bazën e këtij përshkrimi mësuesja e ka marr djalin dhe shokët për dore dhe ka shkuar në të gjitha klasat e katërta dhe të pesta duke e pyet djalin se a po të duket dikush që mund t’jetë prej këtyre. Fëmija kishte thënë ‘jo, kam harru’”.

Sa i përket besueshmërisë së incizimeve, drejtoresha e shkollës thotë se ato janë shumë të sigurta, dhe kjo vet nuk ka asnjë dilemë për këtë. Madje, thotë se për ta bërë shkëputjen e materialit të nevojitur për rastin në fjalë, ka thirrur edhe profesionistë nga komuna.

Në anën tjetër, zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci, ka thënë se rasti është raportuar në Polici, ndërsa policia është në fazën preliminare të hetimit dhe të sqarimit të të gjitha rrethanave që e karakterizojnë këtë ngjarje. Kjo për faktin që, siç thotë Borovci për lajmi.net, ka të bëjë me persona të cilët janë nën moshën 14 vjeçare.

“Këtu ekzistojnë procedura të veçanta dhe trajtim i veçantë i rrethanave e rasteve kur personat nën këtë moshë janë të involvuar”.

“Megjithatë, policia ka kryer disa intervista, ka marrë disa deklarata dhe natyrisht, në konsultim me prokurorin do të pres përfundimin e kësaj faze preliminare në mënyrë që të vendoset për ndërmarrjen e veprimeve të mëtutjeshme”, ka thënë Borovci.

Incidentet dhe siguria e ulët në shkolla vazhdojnë të mbesin shqetësuese, vetëm në vitin 2013 ka pasur gjithsej 315 raste të dhunës qoftë në ambientet shkollore qoftë në afërsi te tyre ndërsa vetëm fillimi i vitit 2014 ka qenë me 3 vrasje brenda dy muajsh. (lajmi.net)