Kërcënohet Bardhyl Noci, drejtor i ri i ndërmarrjes “Pastrimi”

Komuna e Prishtinës ka lëshuar një komunikatë për media, ku tregon për ngjarjet e fundit që ka ndodhur në kompaninë publike komunale “Pastrimi”.

Lajme

06/01/2015 19:20

Në këtë njoftim thuhet se kryetar i ri i bordit të kësaj kompanie, është zgjedhur Bardhyl Noci, pasi me datë 27 dhjetor të vitit të kaluar, është shkarkuar drejtori i cili ka qenë deri më këtë datë.

Por, drejtori i ri, si njofton Komuna, është kërcënuar që në mbledhjen e parë të thirrur.

“Në ditën kur është caktuar data e mbledhjes, kryeshefi ekzekutiv i kësaj ndërmarrje, Feim Salihu, në përcjellje të disa personave të tjerë, ka penguar të autorizuarin e Komisionit Komunal të Aksionarëve të Komunës së Prishtinës për të kryer kompetencat e besuara me ligj. Po ashtu, kryesuesi i Komisionit Komunal të Aksionarëve të Komunës së Prishtinës është kërcënuar dhe nuk ka arritur të hyjë në ndërmarrje deri në momentin kur ka intervenuar Policia e Kosovës. Lidhur me këtë rast, kryesuesi i Bordit të Drejtorëve ka ushtruar kallëzimin penal pranë Prokurorisë Themelore në Prishtinë për pengim të ushtrimit të detyrës zyrtare dhe kanosjes ndaj personit zyrtar”, thuhet në njoftim.

Komuna thotë se me borxhet që arrijnë mbi 1 milion euro, mbledhje joefikase dhe menaxhim partiak të kompanisë, ka shtyrë ata dhe u ka dhënë të drejtë që të ndërmarrin masa për të përmirësuar gjendjen dhe se kërcënimet dhe shantazhet nuk do t’i ndalin në këtë drejtim.

Sipas komunës, mendësia e menaxhimit dhe drejtimit të ndërmarrjeve publike e instaluar tash e sa vite në Komunën e Prishtinës, ka bërë që zyrtarët e ndërmarrjeve publike mos të lejojnë çfarëdolloj ndryshimi që ka për qëllim rritjen e efikasitetit dhe ngritjen e cilësisë së shërbimeve publike të ofruara nga këto ndërmarrje.

Për Komunën e Prishtinës, siç thuhet edhe në njoftim janë më të rëndësishme interesat e qytetarëve për shërbime publike, sesa interesat e ngushta të individëve.

“Përfundimisht, Komuna e Prishtinës është e vendosur që ndërmarrjet publike lokale të jenë në funksion të qytetareve dhe shërbimeve sa ma cilësore ndaj tyre, dhe prej këtij synimi Komuna e Prishtinës nuk zmbrapset”, thuhet në fund të këtij njoftimi.