Kërcënohen me likuidim fizik dy inspektorë të arsimit
Dy inspektorë të arsimit janë kërcënuar me likuidim fizik. Inspektorët Besa Halimi-Zagraxha dhe Sabri Sadriu kanë marrë kërcënimin, sot, rreth orës 08:30 të mëngjesit në zyrën e tyre, nga një mësimdhënës i komunës së Obiliqit.

Lajme
Mësimdhënësi ka hyrë në zyrat e inspeksionit që ndodhen në objektin e Ministrisë së Arsimit pranë objektit të Fakultetit Juridik dhe atij Ekonomik të Universitetit të Prishtinës duke kërcënuar me jetë të dy inspektorët, pasi që këta dy të fundit kishin filluar një ditë më parë një inspektim rreth ndarjes së orëve mësimore në shkollën e mesme profesionale “Hasan Tahsini” në komunën e Obiliqit.
Drejtori i zyrës së Departamentit të Inspeksionit të Arsimit në MASHT, Dëfrim Gashi ka konfirmuar kërcënimin në adresë të inspektorëve.
Ai ka thënë se është informuar, sot zyrtarisht nga dy inspektorët e kërcënuar për rastin dhe për këtë janë njoftuar edhe organet e rendit.
“Edhe njëherë vjen në Obiliq për këtë punë falje nuk ka”, – janë fjalët e kërcënuesit drejtuar inspektorit.
Ndërsa, dy inspektorët e kërcënuar kanë deklaruar se i njëjti mësimdhënës identiteti i të cilët nuk është bërë publik nga MASHT-i, i kishte kërcënuar dhe një ditë më parë (të hënën), në ambientin e komunës së Obiliqit dhe po ashtu këtë kërcënimin e kishte përsëritur dhe sot brenda institucioneve tjera të Kosovës – MASHT-it.
Inspektori Sabri Sadriu thotë se sot në mëngjes rreth orës 08:30 një person ka hyrë në zyrën e tij, e që sipas Sadriut ishte i panjohur për të (Sadriun). “Nuk e kisha parë dhe as njohur kurrë, ai më pyeti : ‘A jeni ju Sabri Sadriu’, e unë iu përgjigja se po, dhe pa thënë asnjë fjalë tjetër drejtpërdrejtë më është kërcënuar : ‘Keni hyrë në mal pa sakicë, edhe njëherë vjen në Obiliq për këtë punë falje nuk ka, jeni falur dje më nuk faleni”, tregon Sadriu.
Sadriu thotë se janë kërcënuar lidhur me lëndën që nuk ka të bëjë me arsyetimin e kërcënuesit dhe as lëndën që po punon aktualisht ai (Sadriu). “Por, ky person nuk ka pranuar kolegën se po e pengon që është femër dhe don të flas me burra. Dje se kam takuar dhe sot ka ardhur të na tregojë”, thotë Sadriu, derisa bënë të ditur se gjithë këtë rast e ka paraqitur dhe në polici.
Kërcënuesi –inspektores: “Tregoi burrit tënd dhe familjes tënde se t’i nuk guxon të merresh me këtë lëndë”.
Besa Halimi-Zagraxha thotë se kërcënimi ka ndodhur edhe dje në zyrat komunale të Drejtorisë së Arsimit në Obliqit. “Derisa unë po kryeja detyrën zyrtare të shqyrtimit të ankesës që më është deleguar nga eprorët e mi, në atë moment është bërë kërcënimi që nuk don të merret me mua se jam femër, kërkonte kolegun tim, dhe kur unë i thash se unë jam përgjegjëse për këtë lëndë, atëherë ai më është drejtuar me fjalët: ‘ Tregoi burrit tënd dhe familjes tënde se t’i nuk guxon të merresh me këtë lëndë’”, thotë Halimi-Zagraxha.
Ajo thotë se është ankuar para zyrtarit të arsimit në këtë komunë dhe sepse këto fjalë ishin pengesë dhe kërcënim në detyrën zyrtare.
“Ai (zyrtari) e luti që të qetësohej dhe të na lejonte të punojmë. Me kaq ka përfunduar rasti aty dhe nuk e kam parë të udhës të shkojë në polici të Obiliqit duke menduar se do të zgjidhet kjo çështje brenda institucioneve duke shpresuar se mund ta zgjidhim me marrëveshje institucionale ndërmjet drejtorisë komunale dhe eprorëve tanë këtu në rrugë zyrtare. Por, sot ende derisa isha duke shkruar shkresën për drejtorin tim dhe udhëheqësen se si ka ndodhur rasti, personi në fjalë kërcënoi tash kolegun”, thotë ajo për “Zërin”.
Halimi-Zagraxha thotë se në ankesë nuk është përmendur emri i mësimdhënësit kërcënues. “Ankesa ka qenë e një mësimdhënëseje që ka kërkuar të shqyrtojmë rregullsinë e ndarjes së orëve në aktivën e elektorenergjetikës në shkollën e mesme profesionale ‘Hasan Tahsini’. E, në këtë lëndë pastaj është parë i përfshirë ai, e ka parë veten të përfshirë në atë ndarje të orëve, prandaj unë nuk e di pse ai është ndjerë aq i dëmtuar kur ne ende nuk kemi përfunduar lëndën se jemi në shqyrtim. Dikush e ka frustruar në atë masë…”, thotë Halimi –Zagraxha, derisa bënë të ditur se ka dhënë deklaratën në polici lidhur me kërcënimin.
Halimi –Zagraxha thotë se inspektorët janë të kërcënuar vazhdimisht në punën e tyre, pasi që në sektorin e arsimit problemet janë grumbulluar. /Zëri/