Kërcënimet nga Beogradi, Haradinaj: Serbia po e përzien Kosovën në çështjet e veta të brendshme

Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj pas mbledhjes së Qeverisë ka folur për gjendjen e fundit të shkaktuar me punësimet familjare.

Lajme

19/03/2019 15:29

I pyetur nëse Qeveria dhe politika ka faj për ikjen dhe dëshprimin e qytetarëve, ai tha edhe kjo qëndron  dhe se secili duhet të jetë i sinqertë me vetëveten, shkruan lajmi.net.

“Normal qe politika i ka fajet që qytetarët ikin. Edhe unë kam faj dhe mënyra se si me e ndryshu këtë gjendje është me qenë sa më të sinqertë me veten”, tha ai.

Haradinaj foli edhe për kërcënimet e ardhura nga Beogradi, konkretisht për deklaratat e ministrit të Jashtëm, Ivica Daçiq për ndërhyrje në veri.

Sipas tij, krejt kjo është rrjedhojë e problemeve të brendshme në  Beograd.

“Edhe në Serbi e shohim që janë disa zhvillime të brendshme dhe e shoh që i ndërlidhin me Prishtinën. Prishtina i ka problemet e veta dhe nuk e ka luksin të përzihet edhe aty. Këto deklarata janë për ato zhvillimet e brendshme që i kanë atje”, ka thënë ai.

“Ne nuk kemi ndikim në vendet përreth, ne apelojmë të zyrtarët e Serbisë që cështjet e brendshme t’i kryejnë vetë. Edhe BE-ja duhet t’i kërkojë Beogradit që Kosovën mos ta përfshijë në çështjet e veta të brendshme. Ne nuk jemi të involvuar në asnjë formë në këto zhvillime”, tha në fund Haradinaj. /Lajmi.net/