Keqpërdorimet e fondeve për trajtim jashtë vendit, Qeveria: Abuzimet do të hetohen, ky shërbim do t’i kthehet normalitetit

Shëndetësia është një nga problematikat më të mëdha ndër vite në Kosovë. Qytetarët në të shumtën e rasteve janë përballur me shërbime joadekuate,e shpesh herë kanë mbetur duke u sorollatur korridoreve të spitaleve në vend, ku askush nuk i ka trajtuar siç duhet.

Lajme

08/06/2022 12:17

Duke mos mjaftuar kjo, së fundi pati raportime të shumta për keqpërdorimet të cilat janë bërë me fondet e Programit të Trajtimit Mjekësor Jashtë Institucioneve Shëndetësore Publike.

Pas kësaj nga Qeveria e Kosovës kanë deklaruar se kanë pranuar me shqetësim këto raportime.

“Qeveria ka pranuar me shqetësim raportimet e fundit në media lidhur me abuzimet me fondet e Programit të Trajtimit Mjekësor Jashtë Institucioneve Shëndetësore Publike (TMJIShP).Për Qeverinë është me rëndësi të veçantë auditimi i thukët i tërë këtij procesi e secilit transaksion që ka kaluar nëpër Programin e TMJIShP, duke u fokusuar në faktin dhe nivelin e marrjes së shërbimeve shëndetësore për pacientin, arsyeshmёrinё e kostos sё shërbimit tё ofruar, rregullësinë e procesit që prej fillimit deri në fund, provizionimin nё fond pёr zotimet e ofruara, validitetin e faturave, pagesave, etj.”, u tha nga Qeveria.

Tutje u theksua se Qeveria qëndron tërësisht në anën e kërkesave të pacientëve, e të publikut dhe se do të marrë të gjitha masat e duhura që të ushtrojë brenda kuadrit ligjor kontroll të rreptë në FSSh.

“Qeveria qëndron tërësisht në anën e kërkesave të pacientëve e të publikut të gjerë dhe do të marrë të gjitha masat e duhura e të ushtrojë brenda kuadrit ligjor kontroll të rreptë në FSSh, që të sigurojë funksionimin e mbikëqyrjen e Programit me qëllim që pacientët të marrin shërbimet e kërkuara. Ky shërbim do t’i kthehet normalitetit, kurse abuzimet në të kaluarën të hetohen.”

“Qeveria do t’i aktivizojë të gjithë mekanizmat e vet dhe do t’u ofrojë bashkëpunimin organeve të drejtësisë për hetimin e të gjitha rasteve të nxjerra publikisht lidhur me keqpërdorimet dhe abuzimin në emër të pacientëve që janë trajtuar jashtë vendit, përmes Programit të Trajtimit Mjekësor Jashtë Institucioneve Shëndetësore Publike.”./Lajmi.net/