Keqkuptimi i lirisë së shprehjes

Për komentet e pakontrolluara të lexuesve në mediat online dhe ngatërrimin e qëllimshëm të kuptimit të fjalës së lirë.

Opinion

02/10/2013 11:07

Shumica e mediave online në Kosovë lejojnë publikimin e pakontrolluar të komenteve nga lexuesit, përfshirë ato me përmbajtje ofenduese, sharje, fyerje dhe urrejtje.

Ironia më e madhe është se ato shfaqen në opinion, ndonëse poshtë hapësirës për të komentuar qëndron vërejtja e cila thotë se “nuk lejohen fyerjet”.

Kohëve të fundit ka pasur disa debate të plogështa për këtë çështje në media dhe rrjete shoqërore. Por, kjo temë duhet të bëhet çështje debati të mirëfilltë dhe mediat profesionale duhet të përkushtohen për lejimin e komenteve cilësore që nxisin debat përmes argumenteve të artikuluara.

Dëshiroj të njoftoj me krenari për politikën redaktuese të lajmi.net rreth komentimeve të lexuesve. Redaksia redakton, e nëse është e nevojshme edhe ndalon, komentet ofenduese dhe që nxisin urrejtje.

lajmi.net, besojmë fuqishëm në lirinë e shprehjes. Vetë ekzistenca e lajmi.net bazohet në lirinë e shprehjes. Ajo është e garantuar edhe përmes Kushtetutës së Republikës së Kosovës, ku në paragrafin e parë të nenit 40 theksohet: “Liria e shprehjes përfshin të drejtën për të shprehur, për të shpërndarë dhe për të marrë informacione, mendime dhe mesazhe të tjera, pa u penguar nga askush”. Shoqëria jonë ka nevojë për informim të drejtë dhe debat për çështjet e sferës publike. Vetëm përmes shkëmbimit të informatave dhe mendimeve mund të përparojmë si shoqëri dhe të zhvillojmë një kulturë politike me vlera qytetare.

Por, liria shprehjes nuk duhet të keqkuptohet dhe keqpërdoret. Nëse kjo bëhet për rritjen e numrit të klikimeve, atëherë dëshmon se mediat po e vendosin si qëllim kryesor përfitimin financiar në dëm të profesionit.

Qytetarët kanë të drejtë të shprehin mendimin e tyre përderisa shprehja e tyre nuk e cenon dinjitetin e qytetarëve tjerë në sferën publike.

Paragrafi i dytë i nenit 40 të Kushtetutës lejon mundësinë e kufizimit me ligj të lirisë së shprehjes “në raste kur një gjë e tillë është e domosdoshme për parandalimin e nxitjes dhe provokimit të dhunës dhe armiqësive në baza të urrejtjes racore, kombëtare, etnike ose fetare”.

Mediat online janë pjesë e sferës publike. Aty qytetarët informohen, ngjashëm si në gazetat e shtypura, radiot dhe televizionet. Etika e njëjtë e gazetarisë duhet të vlejë edhe për mediat online. Qytetarët nuk mund flasin gjithçka në radio e televizion. Ata nuk mund të publikojnë artikuj që përmbajnë sharje e fyerje në gazeta. Parimi i njëjtë duhet të zbatohet edhe në mediat online. Individët të cilët dëshirojnë të publikojnë komente denigruese, mund ta bëjnë këtë në webfaqe dhe blogje personale, e assesi në sferën publike – në portale.

Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës duhet të ndërmarrë hapa të fuqishëm në këtë drejtim. Nuk ka asnjë arsye që mediat online të mos përfshihen në kornizën ligjore njësoj si gazetat, radiot dhe televizionet.

Qëllimi i politikës redaktuese të lajmi.net për redaktimin e komenteve është nxitja e debateve cilësore dhe përmbajtjesore. Komentet duhet t’i japin vlerë lajmeve dhe informatave në portale, përmes debatit dhe shqyrtimit të fakteve. Kështu, synojmë të krijojmë një hapësirë ku lexuesit mund të shkëmbejnë argumente të mirëfillta.