Keq me Barcelonën, mirë me Argjentinën

Lionel Messi thotë se shpeshherë punët i kanë shkuar mirë me Barcelonën e keq me Argjentinën. Por, sulmuesi pret që trendi të ndryshojë gjatë Kampionatit botëror në Brazil.

Sport

20/05/2014 18:06

Lionel Messi dëshiron ta lë pas vetes sezonin dëshpërues me Barcelonën duke shkëlqyer me Argjentinën në Kampionatin botëror në Brazil.

Gjiganti katalan e mbylli edicionin duke u eliminuar në çerekfinale të Ligës së Kampionëve, humbi në finale të Copa del Rey dhe përfundoi në pozitën e dytë në La Ligë.

Por, Messi pret rezultate më pozitive në Brazil. “Kësaj radhe do të jetë ndryshe”, deklaroi Messi.

“Do të ndryshojë trendi. Shpeshherë më ka ndodhur që gjërat të shkojnë keq në Kombëtare e mirë me Barcelonën. Kësaj radhe do të jetë e kundërta”, u shpreh ai.

Ylli i Barcelonës ka shënuar 41 gola në 46 ndeshje në të gjitha garat, statistika të mira, por jo të mjaftueshme për të.

“Nuk ka qenë lehtë për shkak të lëndimit dhe gjërave tjera që nuk kanë të bëjnë me futbollin, por shkoi kështu dhe duhet të rinisem”, përfundoi ai.