Këngëtari kosovar: Do të fillojmë të punojmë, nëse na arrestojnë s’kemi çfarë bëjmë

Artistët janë gati t'iu rikthehen mbrëmjeve muzikore.

ShowBiz

06/06/2020 08:18

Me lehtësimin e masave në fazën e tretë, Ministria e Shëndetësisë nuk ka përfshirë edhe çështjen e mbrëmjeve muzikore dhe koncerteve.

Për këtë gjë, artistët shprehen të shqetësuar që ende nuk po mund t’i kthehen performancave në mbrëmje muzikore.

Këngëtari Besart Halimi ishte i ftuar së fundi në emisionin “Reload”, ku me shqetësim thotë se shteti po iu bën padrejtësi këngëtarëve, ngase burim i të ardhurave të tyre janë mbrëmjet muzikore.

“Përderisa kafiteritë janë të mbushur plot, pse të mos ketë edhe mbrëmje muzikore apo dasma”, është shprehur Halimi.

Ai paralajmëroi nisjen e mbrëmjeve muzikore duke thënë “Ne do të fillojmë të punojmë pasi gjithçka po mbahet, edhe nëse na arrestojnë s’kemi çfarë bëjmë, nuk kemi rrugë tjetër”.

Madje, këngëtari shtoi se brenda një jave do të mblidhen disa këngëtarë dhe do të takohen me zyrtarë të qeverisë për të diskutuar rreth kësaj çështjeje.

Më vonë, në rrjete sociale Besart Halimi njoftoi se do të performojë në një lokal më 6 qershor.