Kemi përkrahje për ulëset e rezervuara

Ministri Nenad Rasic thotë se ka marrë përkrahjen e shumicës së partive, në përjashtim të Lëvizjes Vetëvendosje për të vazhduar ulëset e rezervuara. Sipas tij, janë të nevojshme edhe dy mandate legjislative që të bëhet integrimi i plotë i komuniteteve.

Lajme

14/12/2013 12:51

Në përjashtim të Lëvizjes Vetëvendosje, komunitetet jo-shumicë kanë marrë përkrahjen e të gjitha partive politike, për vazhdimin e mandatit për ulëset e rezervuara.

Kështu ka thënë sot Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Nenad Rasic në një konferencë për media.

Ai konsideron se edhe dy mandate të legjislativit janë të domosdoshme për integrimin e komuniteteve.

“Nuk po flas me emra konkretisht por nga shumica e partive politike kemi marrë përkrahje e cila ka qenë përkrahje korrekte dhe konkrete”.

Por AAK e Ramush Haradinajt mbrëmë ka përgënjeshtruar raportimet se është pajtuar për një gjë të tillë.

Sido që të jetë, Rasic thotë se gjithçka do të vendoset me një marrëveshje politike.

“Në fund do të kemi një mbështetje politike por duhet ta pranoj se nuk kemi pasur përkrahje nga përfaqësuesit e Vetëvendosjes sa i përket konceptit politik që ata na e kanë shpjeguar sepse ata nuk e kanë pranuar planin e Ahtisarit gjithashtu ata nuk e pranojnë as marrëveshjen e Brukselit ku sipas tyre ku krejt koncepti është gabim dhe ata nuk e pranojnë”, tha Rasic.

“Në anën tjetër të gjitha partitë që janë pjesë e parlamentit na kanë mbështetur në konceptin e idesë nuk kanë kërkuar ndryshime”.

“Kemi pasur biseda edhe sa i përket numrit e mandateve por koncepti ka qenë i pranuar nga ana e të gjithë partive politike”.

“Ne siç kemi thënë që një integrim që të jetë i fuqishëm konsiderojmë që dy mandate janë të nevojshme”.

Rasic kërkesën e pakicave e quan të arsyeshme dhe në rast të aprovimit sipas tij Kosova do të ketë një autoritet më të madh edhe në Bruksel se sa që ka pasur më parë.

“Konsideroj se kërkesa e jonë është e arsyeshme jo vetëm siç e thash në momentin politik për një periudhë kohore afatshkurtër por përkundrazi bazuar në këtë kërkesë nëse aprovohet ne konsiderojmë se ka elemente për një aprovim të kërkesës mendoj që autoriteti i Kosovës në veçanti në Bruksel do të ishte në nivel shumë më të lartë sesa që është për momentin, sepse do të tregonim që me të vërtet jem të gatshëm të bëhemi një vend demokratik”.

Ai ka thënë se për t`u integruar tërësisht Veriu atëherë duhet t`u jepet mundësi serbëve që të kenë mundësinë të marrin pjesë edhe në zgjedhjet nacionale.

“Jam  sigurt që politikanët në Kosovë janë të pjekur dhe mund ta vlerësojnë çka do të thotë kjo. Ky është një moment kritik sepse nëse doni ta integroni veriun dhe nëse e leni në gjysmë atëherë do të ishte një integrim i pjesshëm. Shembull ne i kemi dhënë mundësi që të marrin pjesë në zgjedhjet lokale por nuk i kemi dhënë mundësi që të jenë më aktiv për zgjedhjet e përgjithshme”, ka thënë Rasic.