“Kemi luftuar 54 grupe kriminale”, Kurti vazhdon me lëvdata ndaj qeverisë së tij

Mbi 1.1 tonë lëndë narkotike janë sekuestruar gjatë qeverisjes një-vjeçare të kryeministrit Albin Kurti. Po ashtu janë asgjësuar 54 grupe kriminale, ndërsa janë arrestuar 270 zyrtarë publikë të dyshuar për korrupsion apo keqpërdorim të detyrës.

Lajme

26/03/2022 16:24

Këto të dhëna i ka bërë të ditura vetë kryeministri Kurti, përmes një infografike të publikuar në llogarinë e tij zyrtare në ‘Twitter’, ku ka renditur sukseset e arritura gjatë kësaj periudhe, shkruan lajmi.net.

“Sekuestrohen mbi 1.1 ton lëndë narkotike, asgjësohen 54 grupe kriminale, arrestohen 270 zyrtarë shtetërorë dhe publikë për korrupsion dhe shpërdorim detyre”, thuhet në pikën e tretë të kësaj infografike.

Ndërsa, në pikën e 11-të, shefi i qeverisë ka përmendur emërimet e 19 ambasadorëve të karrierës.

“13 ambasadorë dhe 4 konsuj të shkarkuar. Nga 31 ambasada në total, 19 ambasadorë të karrierës, gjashtë prej tyre të emëruar politikisht. Numri më i madh i vizitave të nivelit të lartë në Kosovë dhe më gjerë”, thuhet në infografikë.

Maqedonia e Veriut, Norvegjia dhe Turqia janë tri shtetet në të cilat Kosova ende nuk ka dërguar ambasadorë, ndonëse ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka thënë se po pret aprovim nga Komisioni për Politikë të Jashtme.  Nga ky komision e kanë mohuar një gjë të tillë./Lajmi.net/