Këmbimet tregtare Kosovë-Shqipëri ulen mbi 30 përqind

Rënien e eksport-importeve gjatë këtij viti, ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, e sheh si pasojë te pandemisë, derisa nuk ka mohuar që janë evidente edhe barrierat tregtare.

Lajme

04/07/2020 12:09

Midis Kosovës dhe Shqipërisë janë shënuar ulje të këmbimeve tregtare përreth 40 përqind në periudhën e fundit.

Derisa vitin e kaluar shkëmbimet tregtare ndërmjet këtyre dy shteteve shqiptare kanë qenë mbi 300 milionë euro.

Kjo rënien e eksport-importeve, sipas ambasadorit të Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi është si pasojë e pandemisë, derisa nuk ka mohuar që janë evidente edhe barrierat tregtare midis këtyre dy shteteve.

Ambasadori Qemal Minxhozi thotë në një intervistë për KosovaPress, se Shqipëria ka pasur dy problematika shumë të mëdha, njëra me tërmetin, e tjetra me Covid-19 dhe natyrshëm këto kanë influencuar për uljen e këtyre shkëmbimeve, sepse fokusi ka qenë diku tjetër.

“Por, ashtu edhe Kosova ka pasur probleme në këtë drejtim. Ritmet e zhvillimit ekonomik si në Kosovë, si në Shqipëri kanë pësuar një ulje gjatë kësaj periudhe. Bizneset kanë komunikuar aq sa kanë mundur në një situatë lufte, sepse shumë nga bizneset kanë qenë të mbyllura si në Shqipëri, edhe në Kosovë dhe këto biznese kanë afektuar në përqindjen ose shkallën e rritjes së këtyre shkëmbimeve. Deri para një muaj nga Kosova dhe Shqipëria kishte shkëmbime mallrash bazike. Problemi është se edhe atë që kanë pasur për të ofruar të dy vendet tona gjatë gjithë kësaj periudhe për eksport-import, kanë qenë në masë të reduktuar. Kjo nuk lidhet me barrierat por kjo ndërlidhet me situatën që sapo folëm. Ajo që është evidente, është që në krahas me vitin e kaluar ka pasur një ulje rreth 30-40 përqind, këmbimet midis nesh”, deklaron Minxhozi.

Sipas ambasadorit në vitin e kaluar ka pasur një bilanc pozitiv diku deri 300 milionë euro midis Shqipërisë dhe Kosovës, që ka qenë sasia më e madhe e shkëmbimeve.

“Ne prapë nuk jemi të kënaqur, sepse mundësi ka më tepër. Ne po nxisim autoritetet këtu dhe në Shqipëri që të eliminohen disa barriera që janë të mundshme për t’u bërë. Barriera do të ketë gjithmonë në kuptimin e kësaj burokracie, por çështja është që ne t’i bëjmë sa më të zbutura ato në mënyrë që të jenë sa më të kapërcyeshme”, thota ai.

Ambasadori Minxhozi ka folur edhe për turizmin, i cili tregon se ditëve të fundit është rritur fluksi i pushuesve nga Kosova në Shqipëri.

Ai thotë se numri pushuesve nga Kosova ka arritur mbi 40 mijë, dhe bën të ditur se autoritetet e Shqipërisë, janë në gatishmëri për masat e ndërmarra ndaj koronavirusit dhe kujdesit shëndetësor ndaj turistëve.