Kelmendi: Përmirësimi i mjedisit afarist prioritet i Qeverisë së Kosovës

Zëvendëskryeministri Ramiz Kelmendi, mori pjesë në takimin koordinues të Task Forcës me grupet punuese për reformat që ndërlidhen me raportin e Bankës Botërore për të bërit biznes, të organizuar nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë.

Lajme

21/11/2016 12:17

Kelmendi theksoi se përmirësimi i mjedisit afarist ka qenë dhe mbetet prioritet i vazhdueshëm i Qeverisë.

Në këtë takim, ku ishte e pranishme edhe ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, Kelmendi bëri thirrje te të gjitha ministritë dhe institucionet përgjegjëse për përmirësimin e indikatorëve, që të punojnë me seriozitetin më të madh, në mënyrë që ky cikël i reformave të jap rezultate konkrete, të cilat jo vetëm që do të ngrisin rangimin e Kosovës në raportin e Bankës Botërore për të bërit biznes, por do të japin efekte të prekshme në punën e bizneseve, duke afirmuar Kosovën para investitorëve vendorë dhe atyre të huaj, si vend ku ia vlen të investohet.

Fjala e plotë e zëvendëskryeministrit Kelmendi

Përmirësimi i mjedisit afarist është prioritet i Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Siç e dini, ne kemi punuar dhe po punojmë që përmes Këshillit Kombëtar për Zhvillim Ekonomik, si platforma më e rëndësishme e dialogut publiko-privat të zgjedhim shumë çështje të rëndësishme që kanë të bëjnë me përmirësimin e klimës së të bërit biznes.

Deri tani, Këshilli Kombëtar për Zhvillim Ekonomik, ka shërbyer si një mekanizëm i rëndësishëm, ku janë adresuar shumë çështje të rëndësishme lidhur me reformat në përmirësimin e mjedisit afarist, përmirësimin e kushteve për punë të bizneseve, mënjanimin e barrierave administrative dhe të tjera.

Me vendim të Qeverisë ne kemi krijuar Task-Forcën e Kosovës për koordinimin e reformave për të bërit biznes dhe kemi caktuar organet qeveritare përgjegjëse për secilin nga indikatorët e raportit të Bankës Botërore për të bërit biznes.

Si rezultat i angazhimit të Task-Forcës dhe grupeve punuese, janë bërë një seri përmirësimesh, të cilat janë reflektuar në raportin e fundit të Bankës Botërore, ku Kosova është renditur në pozitën e 60, të nivelit botëror.

Vlenë të theksohet se Task-Forca, përkatësisht koordinimi institucional rreth adresimit të indikatorëve të Bankës Botërore në Kosovë, është cituar në raportin e fundit të Bankës Botërore si praktikë e mirë.

Suksesi në reforma nuk ka kaluar pa u vërejtur nga mediat ndërkombëtare. Këto ditë, revista e njohur “Business Insider” ka publikuar një artikull, në të cilin janë listuar 17 vendet më të mira për të nisur biznesin dhe në këtë listë, Kosova është renditur në vendin e 13, që përbën një sukses në drejtim të promovimit të Kosovës, si vend që ka krijuar dhe po krijon politika të favorshme për bizneset.

Megjithatë, mbeten edhe sfida të shumta që ne duhet t’i adresojmë së bashku, në mënyrë që të përmirësojmë indikatorët në të cilët nuk jemi mirë të renditur.

Për më tepër të gjithë e kemi të qartë se përmirësimi i ambientit të biznesit nuk mund të bëhet nga një ministri apo institucion i vetëm, por ai bëhet vetëm duke bashkuar dhe koordinuar përpjekjet tona që të largojmë çdo barrierë dhe të eliminojmë atë që quhet burokraci, e që paraqet kosto për bizneset.

Në këtë rast, ju bëj thirrje të gjitha ministrive dhe institucioneve përgjegjëse për përmirësimin e indikatorëve, që të punojnë me seriozitetin më të madh, në mënyrë që ky cikël i reformave të jap rezultate konkrete, të cilat jo vetëm që do të ngrisin rangimin e Kosovës në raportin e Bankës Botërore për të bërit biznes, por do të japin efekte të prekshme në punën e bizneseve, duke afirmuar Kosovën para investitorëve vendorë dhe atyre të huaj, si vend ku ia vlen të investohet.