Kelmendi akuzon një anëtar të VV’së për shantazh

Pronari i ELKOS GRUP, Ramiz Kelmendi, ka akuzuar një anëtar të Vetëvendosjes për shantazh. Thotë se ai ia kërkoi 250 mijë euro dhe se rastin e ka paraqitur në Polici e Prokurori.

Lajme

17/01/2014 21:53

Pas vendimit të Komunës së Prishtinës, për të rrënuar një pjesë të objektit të kompanisë “ELKOS Grup”, në Kodrën e Trimave, i cili ka kaluar 1.9 për qind të lejes së ndërtimit, ka reaguar Aleanca Kosovare e Bizneseve, së bashku me pronarin e kompanisë ELKOS Grup, Ramiz Kelmendi.

Kelmendi, në një konferencë të jashtëzakonshme, ka thënë se objekti ka një hapësirë prej mbi 7 mijë metrash dhe kanë paguar leje ndërtimore në vlerë prej mbi 335 mijë euro.

Ai ka thënë se është i kërcënuar dhe i shantazhuar nga një anëtar i Vetëvendosjes, i cili kërkon nga ai 250 mijë euro.

Sipas tij, ai person ka gjuajtur me armë dhe është i njohur edhe për Policinë dhe Prokurorinë, ndërsa për publikun nuk e ka bërë emrin e tij të qartë.

“Objekti është i përgatitur për t’u lëshuar në punë dhe janë pranuar punëtorët për të punuar. Kuvendi Komunal  i administruar nga Vetëvendosje nuk ka kaluar nga toka e anëtarit të vet, për arsye se nuk ka dashtë t’ia cenojë rrethojën fizike që e ka ndërtuar, por ka hyrë nga anë tjera, vetëm mos me çel rrugën për hyrë punëtorët në objektin e caktuar.”

“Ai m’i kërkon 250 mijë euro shantazh”.

“I kemi paraqitur te organet kompetente. I kemi paraqitur edhe  gjuajtjet me armë, si dhe shumë gjëra  tjera. Kjo është për të ardhur keq”.

“Kurrë nuk e kisha lejuar për 100 metra katror unë, Grupi ELKOS, kur aty janë rreth 300 mijë metra katrorë sipërfaqe pune. As nuk kisha lejuar diçka të tillë për t’u tejkaluar. Nuk është tejkalim, është tejkalim konstruktiv, në një shfrytëzim të sipërfaqes prej 12 për qind”, ka thënë Ramiz Kelmendi.

 

(Kosovapress)