KEK-u ua siguron rrymën për 60 ditë kompanive në treg të hapur që nuk kanë nënshkruar kontrata, sot ajo kushton 20 euro më shumë se dje

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli përmes një postimi në Facebook, ka njoftuar se për 60 ditët e para, KEK do të furnizoj me rrymë kompanitë që kanë dal në treg të lirë, por nuk kanë nënshkruar kontrata. Ajo ka thënë se çmimi i rrymës dje ka qenë 64.55 Euro për MWh, ndërsa sasia e blerë…

Lajme

02/06/2025 09:21

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli përmes një postimi në Facebook, ka njoftuar se për 60 ditët e para, KEK do të furnizoj me rrymë kompanitë që kanë dal në treg të lirë, por nuk kanë nënshkruar kontrata.

Ajo ka thënë se çmimi i rrymës dje ka qenë 64.55 Euro për MWh, ndërsa sasia e blerë për sot është kontraktuar me çmim 86.75 Euro për MWh, çmime këto që i ka quajtur “konkurruese”.

“Përtej frikës së sinqertë nga pasiguria që sjell liberalizimi i tregut në afat të shkurtër, e përtej zhurmës e klithmave të pasinqerta të disave (pak por të zëshëm), të ndajmë disa çaste për ta përbrendësuar e çmuar se çfarë është duke ndodhur. ALPEX është një ëndërr e kahmotshme e realizuar për Kosovën. Mekanizmi përmes të cilit tregu energjetik në të dy anët e kufirit bashkohet, e komplementariteti mes kapaciteteve tona energjetike shfrytëzohet më së miri. ALPEX është një treg që operon me rregullat më rigoroze e standardet më të larta të Evropës, ku gjithçka është transparente e çdo transaksion lë gjurmë të pashlyeshme për të mundësuar monitorim rigoroz e hetim në rast nevoje. Në fotografinë e madhe, ALPEX është vetë antidoti i “mafisë energjetike” që me të vërtetë ka funksionuar gjatë në Bllkan e me gjasë funksionon ende – por nuk ka të bëjë aspak me Qeverinë Kurti”, ka shkruar Rizvanolli.
Ajo ka thënë se ALPEX është themeluar më 1 shkurt 2024, moment ky që e ka quajtur “historik”.
“Sa i përket konkurrencës në tregun e furnizuesve, në kohën kur u bë Ligji për Energjinë Elektrike që parasheh liberalizimin e tregut (2016), ishte vetëm një furnizues: KESCO. Sot janë 21 furnizues të licencuar nga ZRrE, prej të cilëve së paku 5 deklarojnë se janë aktiv e të gatshëm të japin oferta. E tash që janë – jo 3 – por 1300 konsumatorë në treg, numri i furnizuesve e konkurrenca mes tyre sigurisht që do të rriten, në të mirë të konsumatorëve, sektorit e gjithë ekonomisë”, ka shkruar Rizvanolli në Facebook.

Ajo ka shtuar se Kosova ka ende shumë rrugë për të bërë deri në një treg të lirë e të integruar në tregun e BE’së.

“Kosova, si edhe vendet e rajonit, ka ende për të mësuar për tregjet e energjisë elektrike e ende shumë rrugë për të bërë deri në një treg të lirë e të integruar në tregun e Bashkimit Evropian (që parashihet më 2030). Bizneset tona gjithashtu kanë shumë për të mësuar në drejtim të operimit në treg të lirë e optimizimit të konsumit të energjisë elektrike. Këto mësime mund të duken të vështira tani, por ato duhet të mësohen sot në mënyrë që bizneset tona të jenë konkurruese në të ardhmen kur të jemi pjesë e tregut evropian të integruar të energjisë, me të gjitha mundësitë por edhe sfidat e veta me politika si ajo e çmimit të karbonit.”

Ajo ka thënë se Qeveria do të jetë e sinqertë dhe e përkushtruar.

“Në këtë rrugëtim, sigurisht që do të ketë sfida edhe për bizneset edhe për institucionet. Ndoshta edhe do të bëjmë ndonjë gabim ndonjëherë, por kjo është mënyra se si mësojmë e si rritemi për t’u bërë konkurrues në treg e për të neutralizuar ndikimin e atyre që nuk janë as miqt tonë e as të ndershëm në biznes. Nga ana e Qeverisë së Republikës së Kosovës, ju sigurojmë që në këtë rrugëtim do të jemi të sinqertë, të përkushtuar e së bashku për interesin publik: për të mirën e konsumatorit, sektorit e vendit”, ka shtuar ajo mes tjerash.

Nga dje (1 qershor), kompanitë me më shumë se 50 punëtorë apo mbi 1 milion euro fitim, kanë hyrë në treg të lirë të energjisë.

Ky vendim i marrë nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë, nuk është pritur mirë nga përfaqësuesit e bizneseve, pasi çmimi që ata do të paguajnë nga dje e tutje për energjinë, do të jetë shumëfish më i lartë se ai që kanë paguar.

Të enjten, bizneset kanë protestuar në Prishtinë, duke mbyllur disa nga hyrjet kryesore të kryeqytetit, duke kundërshtuar vendimin për treg të lirë të energjisë.

Oda Ekonomike e Kosovës ka kërkuar nga Qeveria dhe ZRrE, pezullimin e vendimit për treg të lirë për 1 vit, në mënyrë që kompanitë të marrin masat e nevojshme dhe të përgatiten për këtë ndryshim.

Kjo nuk është mirëpritur nga Qeveria e Kosovës, pasi siç ka thënë kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti në mbledhjen e Qeverisë, nëse ky vendim do të pezullohet, çmim më të lartë do të paguajnë qytetarët dhe bizneset e vogla.

Ai ka thënë se këto biznese që hyjnë në treg të lirë, janë vetëm 1% i bizneseve në Kosovë.

Në përfundim të muajit qershor, pritet të dihet ndikimi i këtij vendimi në ekonomitë e bizneseve të mëdha. /Lajmi.net/ 

Postimi i saj i plotë në Facebook: