KEDS dënohet me 9 mijë euro

Me vendim të Gjykatës Themelore, Kompania Kosovare për Distribuimin dhe Furnizimin me Energji Elektrike – KEDS, është gjobitur me 9 mijë euro për neglizhimin e marrjes së masave ligjore për siguri gjatë përpunimit të të dhënave të qytetarëve, të rekomanduar nga Agjencia për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.

Lajme

06/03/2015 18:00

Shefi i kësaj agjencia, Ruzhdi Kadriu, ka thënë për Prishtina Magazine se pas disa opinioneve të Agjencisë të karakterit këshillëdhënës për KEDS, ka bërë ankesë në Gjykatën Themelore.

“KEDS po vazhdonte shpërndarjen e faturave të konsumatorëve të energjisë elektrike pa aplikuar mbylljen e faturave në zarf, përmes të cilëve do të përmbushej kriteri i sigurisë së të dhënave të qytetarëve, ASHMDHP është detyruar që, sipas dispozitave ligjore, t’ia kalojë rastin gjykatës kompetente për shkak të lejimit nga pala – KEDS për qasje të paautorizuar në leximin e të dhënave personale, pasi faturat e energjisë elektrike, të cilat përmbajnë të dhëna personale kanë dërguar (shpërndarë) konsumatorëve pa i mbyllur në zarfa, duke i lënë faturat kudo në hapësirat e banimit, me çka u është mundësuar palëve treta qasje e paautorizuar në faturat e energjisë elektrike, veprim ky, i cili bie ndesh me kërkesat e dispozitave të Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale”, ka thënë ai.

Jashari ka thënë se Agjencia, deri më tani ka qenë e përqendruar që shkelësit e dispozitave të Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale ti vetëdijesojë përmes aplikimit të masave të buta – adresimit të rekomandimeve këshilluese. “Megjithëkëtë ankesat e vazhdueshme të qytetarëve për shkleje të privatësisë përmes ekspozimit të të dhënave të tyre edhe ndaj palëve të treta në mungesë të marrjes së masave për sigurimin e të dhënave të përpunuara nga konstrolluesi, në këtë rast KEDS, ka përfunduar në instancën e Gjykatës Themelore të Prishtinës, e cila, përmes një aktvendimi, ka vendosur ta gjobisë KEDS-in me 9.000 € për mosrespektim të dispozitave ligjore të lartcekura”, ka thënë ai.