KE propozon kuota të obligueshme për migrantët

Një raport në gazetën londineze Times thotë se Komisioni Evropian (KE) do të propozojë që 28 anëtarët e BE-së ta ndajnë përgjegjësinë për strehimin e mijëra refugjatëve që po hyjnë në Evropë nga Deti Mesdhe.

Bota

11/05/2015 21:00

Presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Junker, më 13 maj do të propozojë “sistem me kuota të obligueshme për migrantët”, shkruan gazeta Times.

Kombet e Bashkuara thonë se afro 60 mijë njerëz tashmë janë përpjekur ta kalojnë Mesdheun këtë vit, ndërsa më shumë se 1,800 vetë kanë humbur jetën në det.

Numri i refugjatëve që do të dërgohen te vendet anëtare do të përcaktohet sipas “çelësit të rishpërndarjes”, të bazuar në GDP, numrin e popullatës, shkallën e papunësisë dhe numrin e azilkërkuesve të mëparshëm.

Aktualisht, azilkërkuesit janë përgjegjësi e vendit ku ata arrijnë së pari.

Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Federica Mogherini sot në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara ka kërkuar leje për ta përdorë forcën kundër trafikantëve të qenieve njerëzore që operojnë në Libi, transmeton REL.