KE pranon se gabimisht kërkoi që shtetet e rajonit t’i vendosnin viza Kosovës

Komisioni Evropian pranoi se në raportin vjetor të monitorimit për shtetet që kanë liberalizim të vizave, të publikuar më 5 dhjetor, gabimisht ka vendosur një pasues ku Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi i kërkohej që t’i vendosnin regjimin e vizave Kosovës. KE-ja tha se nuk ka asnjë ndryshim në qëndrimet e saj dhe…

Lajme

06/12/2022 13:38

Komisioni Evropian pranoi se në raportin vjetor të monitorimit për shtetet që kanë liberalizim të vizave, të publikuar më 5 dhjetor, gabimisht ka vendosur një pasues ku Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi i kërkohej që t’i vendosnin regjimin e vizave Kosovës.

KE-ja tha se nuk ka asnjë ndryshim në qëndrimet e saj dhe mbështet fuqishëm liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës dhe kërkon që regjimi i vizave në Zonën Shengen të hiqet pa vonesa për kosovarët.

Vendosja e pasuesit ku kërkohej që Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi t’i vendosnin viza kosovarëve për shkak të, siç u pretendua, se këto dy shtetet nuk i kanë përshtatur politikat e vizave me Bashkimin Evropian, shkaktoi reagime në Kosovë, përfshirë edhe nga ambasadori i Kosovës në Bruksel, Agron Bajrami. Ai e kishte cilësuar si “të papranueshëm vendosjen e regjimit të vizave”, por një ditë më pas tha se KE-ja do ta përmirësojë këtë gabim.

“Mund të konfirmoj se nuk ka absolutisht asnjë ndryshim në qëndrimet e Komisionit Evropian, dhe ne absolutisht mbështesim lirinë e lëvizjes në rajon”, tha gjatë një konference për media zëdhënësi i Komisionit Evropian, Eric Mamer.

KE-ja tha se ky gabim do të përmirësohet përmes një versioni të ri të po të njëjtit raport. Ky institucion i BE-së tha se nëse ky lëshim do të ishte i vërtetë, ai do të ishte në kundërshtim me mbështetjen e deklaruar të BE-së për lirinë e lëvizjes mes shteteve të rajonit të Ballkanit Perëndimor. Presidentja e KE-së, Ursula von der Leyen, po ashtu ka mbështetur një marrëveshje të arritur në kuadër të Procesit të Berlinit, për lëvizjen e lirë vetëm me letërnjoftime midis shteteve të Ballkanit Perëndimor.

Ndërkaq, zëdhënësja për çështje të brendshme e KE-së, Anitta Hipper, tha se KE-ja “tërësisht mbështet lirinë e lëvizjes në rajon dhe tërësisht mbështet liberalizimin e vizave për Kosovën, si çështje me prioritet”.

“Sa i përket çështjes specifike nga rajoni, jemi duke e përmirësuar dhe do të dalë versioni i përmirësuar”, tha ajo.