KE në Raportin e Progresit përmend edhe Specialen, kërkon nga Kosova mos ta pengojë punën e saj
Komisioni Evropian ka publikuar sot raportin për Kosovën, në të cilin adresohen sfidat, përparimet dhe dështimet në funksionimin e shtetit dhe institucioneve.
Lajme
Raporti nxjerrë në pah të metat në luftimin e krimit dhe korrupsionit, si dhe nevojën e pashmangshme të Kosovës për vullnet politik në luftimin e këtyre dukurive negative, shkruan lajmi.net.
E KE në këtë raport nuk lë pa përmendur edhe Specialen.
Në raport përmendet ecuria e punës së këtij institucioni, nisur nga themelimi i saj, pastaj dërgimi i aktakuzave në shkurt dhe në mars, deri në arrestimet e fundit.
Tutje, veçanërisht në raport theksohet aktakuza kundër presidentit Thaçi dhe kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli, e cila mbetet ende e pakonfirmuar, shkruan lajmi.net.
Aty theksohet se ajo çka është esenciale, është bashkëpunimi me dhomat e Specializuara të Prokurorisë dhe Gjykatës në Hagë.
“Bashkëpunimi me Dhomat e Specializuara të Gjykatës dhe Prokurorisë mbetet esencial. Është me rëndësi kruciale që Dhomat e Specializuara të Prokurorisë dhe Gjykatës të vazhdojnë punën e tyre pa u penguar, të pavarur dhe pa intereferime nga jashtë”, thuhet në raport.
Ky paragraf në raportin e progresit për Kosovën vjen pas disa zhvillimeve dramatike në raport me Gjykatën Speciale të Hagës.
Publikimi i dosjeve të rrjedhura nga ky institucion, që u pasua me arrestimet e krerëve të veteranëve të luftës shkaktoi bujë të madhe dhe një varg reagimesh në vend.
Aktualisht ndaj tyre janë duke u zhvilluar seanca në Speciale, teksa brenda një muaji pritet të ketë edhe aktakuzë. /Lajmi.net/