KE jep vlerësim pozitiv

Misioni faktmbledhës i Komisionit Europian ka thënë se në Kosovë është arritur progres sa i përket përmbushjes së kritereve për liberalizimin e vizave. Pritet që edhe misione të tjera vlerësuese të vijnë në Kosovë.

Lajme

07/12/2013 14:50

Misioni faktmbledhës i Komisionit Europian që ka qëndruar në Kosovë ka vlerësuar punën e institucioneve të Kosovës, në çështjet që kanë të bëjnë me riatdhesimin, riintegrimin, sigurinë e dokumenteve, migrimin dhe azilin.

Sipas zyrtarëve të Kosovës, vlerësimi i këtij institucioni ka qenë pozitiv sa i përket përmbushjes së kritereve për liberalizimin e vizave, të dala nga udhërrëfyesi për liberalizimin e vizave.

Besnik Vasolli i cili është Koordinatori teknik për liberalizimin e vizave në Qeverinë e Kosovës, ka thënë se të gjeturat e këtij misioni në përgjithësi janë pozitive.

”Ata ishin pozitivisht të impresionuar me progresin e arritur në të gjitha blloqet. I listuan të gjitha të arriturat tona, që i kemi në këtë proces”.

“Ata thanë se riatdhesimi është duke funksionuar mirë dhe nuk asnjë sfidë në këtë aspekt. Edhe për sigurinë e dokumenteve janë të kënaqur, po janë ndarë pozitivisht me menaxhimin e migrimit”.

Vasolli tha se rekomandimi që kishin marrë nga ky mision faktmbledhës, ishte që institucionet e Kosovës duhet të fokusohen më shumë riintegrim të qëndrueshëm dhe migrim ilegal.

”Nëse e shikojmë bllokun dy, migrimin dhe azilin, ata kërkuan që ne ti intesifikojmë, ose ti rrisim trajnimet për zyrtarët policorë në pikat kufitare, në Aeroportin e Prishtinës, për të menaxhuar më mirë migrimin”.

Raporti final i këtij misioni do të del në fillim të vitit të ardhshëm. Në ndërkohë, në Kosovë pritet që të arrijë edhe një mision tjetër faktmbledhës i KE’së për blloqet e tjera të mbetura, raporton RTK.

Blloku i dytë përfshinë Menaxhimin e integruar të kufirit, ndërsa blloku i tretë ka për temë, sigurinë publike dhe rendin, ku përfshihet lufta kundër korrupsionit, trafikimi me qenie njerëzore. Ndërkaq në bllokun e katërt hyn liria e lëvizjes dhe të drejtat e pakicave.