KDI: EULEX-i duhet të mbështesë dhe jo frikësojë sinjalizuesit e korrupsionit
Istituti Demokratik I Kosovës(KDI), ka kërkuar nga EULEX-I që të mbështes e jo të frikësoj njerëzit brenda këtij misioni që sinjalizojnë për korrupsion.

Lajme
KDI duke folur për rastin e ish-prokurores së EULEX-it, Maria Bamieh, ka thënë që paralajmërimet e saj për korrupsion në brenda misionit Evropian në Kosovë nuk u morën seriozisht dhe ajo u viktimizua duke u larguar nga puna.
Ja shkrimi i plotë i KDI-së i publikuar në faqen e tyre:
Në nëntor të vitit 2014, Maria Bamieh publikisht deklaroi që ajo dyshonte që disa kolegë të saj kanë vepruar kundërligjshëm dhe kërkesat e saj për hetime të brendshme ishin neglizhuar nga ky Mision. Aktualisht, Bamieh ka hapur rast gjyqësor kundër EULEX-it për viktimizim dhe largim nga puna për shkak të aktiviteteve sinjalizuese në Tribunalin e Punës në Londër.
Sipas avokatëve të Bamieh, EULEX e ka kërcënuar atë se do ta ndjekë penalisht nëse ajo apo avokatët flasin me palë të tjera për rastin e saj gjyqësor dhe ka kërkuar privatësi të plotë gjatë të gjitha fazave të procedurës gjyqësore.
EULEX është mision që financohet nga taksapaguesit evropianë dhe është i thirrur të luftojë korrupsionin në Kosovë andaj ekziston interes i lartë publik që zhvillimet e këtij rasti të jenë publike dhe lehtë të qasshme për publikun dhe mediat.
Kërcënimi i Bamieh nga EULEX përbën frikësim të sinjalizuesëve të tjerë që mund të jenë denoncues të korrupsionit apo keqmenaxhimeve.
EULEX-i duhet të jetë shembull se si duhet trajtuar një sinjalizues i korrupsionit për të përmirësuar situatën në vend se të dërgojë mesazhin që kushdo që flet për korrupsionin do të përballet me kërcënimin për t’u ndjekur penalisht.
Përpjekjet e EULEX-it për të sforcuar privatësinë mund të ndalojnë dëshmitarët që t’i paraqesin keqpërdorimet.
EULEX-i do duhej të fokusonte energjinë tek fuqizimi i institucioneve të sundimit të ligjit në Kosovë dhe tek ofrimi i shembujve të mirë të veprimit dhe jo në frikësimin e sinjalizuesve në Kosovë.