KB Prishtina pëson në Gjermani

Kampionia e Kosovës në basketboll, Sigal Prishtina është mundur në Gjermani nga Medi Bayreuth me rezultat 97:89 (25:26, 31:19, 19:21, 22:23).

Sport

30/10/2019 23:10

Në fakt ndeshja ka qenë shumë interesante, ku bardhekaltrit e fitojnë çerekun e parë 25:26, por skuadra gjermane ishte më e mirë në atë të dytë që e fiton 31:19 dhe faktikisht kjo periudhë ishte fatale për skuadrën prishtinase, që edhe pse e fitoi dhjetëminutëshin e tretë 19:21 dhe atë të fundit 22:23, nuk arriti të triumfojë.

Dardan Berisha edhe një herë ishte më i miri te Prishtina me 30 pikë dhe shtatë asistime, derisa pikë dyshifrore shënuan edhe Fahro Alihoxhiq 15 pikë e 15 kërcime, Divine Myles 14 dhe Mikaile Tmusiq 11.

Te skuadra gjermane, James Alexander Woodard, shënoi 17 pikë.

Prishtina ka një fitore dhe një humbje në Grupin C të FIBA Europe Cup, derisa ndeshjen e ardhshme e zhvillon ndaj Ventspils, më 6 nëntor. Ventspils ka dy fitore në dy ndeshje, Prishtina dhe Medi Bayreuth nga një fitore dhe një humbje, si dhe Apoel Nicosia dy humbje./Lajmi.net/