KB Prishtina feston 50 vjetorin e themelimit

KB Prishtina feston 50 vjetorin e themelimit

Sport

07/10/2020 14:29

Klubi basketbollistik “Prishtina” në këtë vit feston 50 vjetorin e themelimit. Njoftimi ka ardhur nëpërmjet një postimi në faqen zyrtare të klubit në “Facebook” ku edhe njoftohet për dizajnimin e një logo speciale për 50 vjetorin.

Ky është njoftimi i plotë i klubit:

Të dashur Plisa dhe adhurues të klubit tonë,

Viti 2020, megjithëse po kalon me shumë vështirësi e sfida që i prodhoi pandemia, për klubin tonë të zemrës do të jetë vit historik në kuptimin pozitiv, sepse e feston ditëlindjen e 50-të.

Duke qenë klubi më i trofeshëm shqiptar, me të arriturat më të mëdha sportive ndërkombëtare në kuadër të sporteve ekipore, jemi përkujdesur që përveç gjurmëve sportive sivjet të lëmë gjurmë simbolike që lidhen me një gjysmë shekulli aktivitet përplot performanca të shkëlqyera dhe arritje kulmore, ashtu siç e meriton Prishtina jonë, qyteti i krenarisë basketbollistike dhe kryeqyteti i kupave e titujve.

Në këtë drejtim, ekipi ynë kreativ në krye me Lorik S. Berisha, ka dizajnuar logon e 50 vjetorit, logon e krenarisë, identitetit, dinjitetit dhe triumfit.

Shpresojmë të ju pëlqejë dhe të na bashkojë për një tjetër etapë historike, e cila për fatin tonë të mirë, këtë vit do të shënohet e festohet me krijimin e Ligës Unike mbarëkombëtare.

Gëzuar Prishtinë, Gëzuar Plisa! /Lajmi.net/