Të Infektuar: 14119

Të Shëruar: 10546

Të Vdekur: 563

Katër të vdekur në sulmin me armë në bazën ushtarake në Florida

18:44 | 7 Dhjetor 2019

Zyrtarët amerikanë deklaruan se i dyshuari për sulmin e së premtes në stacionin ajror të marinës në Pensakola të Floridas, është një student aviacioni nga Arabia Saudite.

Autoritetet thonë se katër persona duke përfshirë edhe vet sulmuesin u vranë, ndërsa disa të tjerë u plagosën gjatë incidentit. Motivi i sulmit ende nuk dihet. Ky është sulmi i dytë me armë në një bazë ushtarake amerikane gjatë kësaj jave.

Incidenti i dhunshëm ndodhi në stacionin ajror të marinës në Pensakola të Floridas.

“Rreth orës 6:30 të mëngjesit u njoftuam se kishte një sulmues me armë në njërën nga ndërtesat”, tha Kapiten Timothy Kinsella, oficer komande në stacionin ajror të marinës.

Zyrtarët amerikanë thanë se sulmuesi është një student aviacioni nga Arabia Saudite. Presidenti Donald Trump e dënoi ngjarjen dhe ndau një mesazh të dërguar nga mbreti saudit, Salman.

“Mbreti tha se njerëzit në Arabinë Saudite janë të zemëruar nga veprimet barbare të sulmuesit dhe se ky person në asnjë mënyrë nuk përfaqëson sauditët të cilët e duan shumë popullin amerikan”, tha presidenti amerikan Donald Trump.

Guvernatori i Floridas, Ron DeSantis tha se autoritetet po hetojnë incidentin.

“Kur është i përfshirë një i huaj, sigurisht se hetimet dallojnë nga ato që mund të kyheshin nëse sulmuesi do të ishte nga komuniteti lokal”, tha ai.

Sipas faqes zyrtare të stacionit ajror të marinës, Florida punëson më shumë se 16 mijë ushtarë dhe 7 mijë e 400 punonjës civilë. Ata gjithmonë kanë mirëpritur studentët ndërkombëtarë.

“Kemi studentë nga vende të ndryshme. Ata mësojnë aviacionin dhe bëhen pilotë të marinës gjatë qëndrimit këtu”, tha kapiten Timothy Kinsella, oficer komandues në këtë stacion.

Kryetari i bashkisë në Pensakola, Grover Robinson, tha se ushtria është pjesë e komunitetit prej më se 200 vjet.

“Jemi qytezë ushtarake. Zemrat dhe lutjet tona janë të lidhura me ata që shërbejnë çdo ditë. Sigurisht, kjo që ndodhi ishte e papritur”, tha ai.

Po kaq i habitur ngeli edhe sherifi i qarkut Eskambia.

“Skena e krimit ishte si shesh xhirimi i filmave. Ashtu sikur tha kryetari i bashkisë, ishte e papritur. Nuk prisnim që kjo të ndodhte në qarkun tonë. Por ndodhi”, tha sherifi i qarkut Escambia, David Morgan.

Ky incident pason një tjetër sulm që ndodhi këtë javë në mjediset e ushtrisë amerikane. Të mërkurën, një marinar amerikan vrau dy civilë dhe më pas edhe veten në një bazë ushtarake në Hawai.