Katër sulme të vazhdueshme ndaj Policisë së Kosovës në veri, ministri Sveçla i quan sulme terroriste
Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla ka njoftuar se brenda tri ditëve ka patur sulme të vazhdueshme ndaj Policisë së Kosovës në pjesën veriore të vendit.
Lajme
Sveçla konfirmoi edhe sulmin e fundit që tha se ka ndodhur rreth orës 07:20, ku policët të cilët ishin duke shkuar të bëjnë ndërrimin në pikat kufitare janë sulmuar me granatë dore dhe AK-47.
“Sot rreth orës 07:20 ka ndodhur një sulm ndaj Policës së Kosovës të cilët kanë qenë duke shkuar për të realizuar ndërrimin në pikat kufitare.Ky sulm tashmë I faktuar me granatë dore dhe AK-47, si një akt terrorist është bërë me qëllim të frikësimit të zyrtarëve policorë, por edhe të gjithë qytetarëve të Kosovës.Grupe të ndryshme në tri ditët e fundit kanë realizuar katër sulme në atë zonë, një sulmi i parë ka ndodhur apo tentim-sulmi duke vendosur iriqa metalik në rrugën nacionale në kohën përafërsisht të njëjtë me sulmin e sotëm. Me qëllim që të pamundësojnë punën e Policës së Kosovës dhe të rrezikojnë jetën e zyrtarëve policorë.”, tha ministri Sveçla, transmeton lajmi.net.
Poashtu ai bëri të ditur se sulmi i dytë ka ndodhur më gjuajtje me gurë në veturën e policisë së Kosovës.
“Sulmi i tretë tashmë është publik.Ka ndodhur mbrëmë në afërsi të pikës kufitare të policisë që bën sigurimin e pengesave të rrugëve ilegale. Është gjuajtur me armë zjarri. Dhe sot sic thash drejtpërdrejtë janë goditur dy veturat të cilat transportonin zyrtarët policorë për në pikat kufitare.Ky ishte ndërrim i rregullt që ndodh në ora 08:00, dhe dy nga këto sulme kanë ndodhur në atë kohë.Tashmë po shihet që angazhimi serioz i institucioneve të Kosovës, por posaçërisht i Policisë së Kosovës që të vendos rend dhe ligj në çdo cep të Kosovës është bërë pengesë për Serbinë, për grupet e caktuara të cilat mbështeten drejtpërdrejtë nga Serbia dhe realisht u prish planet të gjithë atyre të cilët Kosovën e kanë parë si cerdhe të krimeve të tyre.”, theksoi ai.
Ministri ka prezantuar edhe fotografitë e shumta të dëshmive nga këto sulme.
“Kjo është një nga pjesët e bombës së dorës dhe poashtu një plumb apo gëzhojë e AK-47.”, përfundoi ai./Lajmi.net/