Katër politikanët e Luginës së Preshevës, vizitë zyrtare në SHBA

Katër politikanët shqiptarë të Luginës së Preshevës, kanë udhëtuar njëherësh drejt SHBA-së.

Lajme

05/06/2022 19:06

Kryetari i Bujanocit, Nagip Arifi, ish-deputeti i Kuvendit të Serbisë dhe kryetari i Partisë për Veprim Demokratik, Shaip Kamberi, kryetari i Partisë Demokratike të Shqiptarëve dhe ish-kryetari i Preshevës, Ragmi Mustafa si dhe deri para pak kohësh, kryetarja e Preshevës, Ardita Sinani, kanë nisur një vizitë disa ditëshe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, raporton RTKlive.

Shkuarjen e tyre në vizitë të përbashkët në SHBA, ata e kanë konfirmuar në mënyra të ndryshme, edhe në rrjetet sociale.

“Takimin e parë zyrtar e filluam me shefin e Misionit të Shqipërisë në OKB”, shkroi Kamberi në Facebook, duke publikuar edhe fotografi me ambasadorin Ferit Hoxha.

Gjithashtu në fotografinë tjetër, shihen edhe zyrtarët e tjerë lokalë të Luginës së Preshevës.

Shkuarjen e përbashkët në SHBA e konfirmoi edhe Nagip Arifi.

“Përshëndetje nga New-York, SHBA”, shkroi ai.

Siç raportojnë mediat lokale serbe nga Lugina e Preshevës, duke iu referuar zyrtarëve të partive, ata do të takohen me kongresmenë, anëtarë të administratës së presidentit Biden, figura të tjera politike dhe të sigurisë si dhe përfaqësues të komunitetit shqiptaro-amerikan.

Kjo vizitë ndodhë në kohën kur çështja e pasivizimit të adresave të shqiptarëve në Luginë është bërë shumë serioze si dhe pas dështimit që shqiptarët të kenë së paku një deputet në Kuvendin e Serbisë.