Katër mijë ushtarë rusë po luftojnë “vullnetarisht” në Ukrainë (Foto&Video)
Presidenti ukrainas, Petro Poroshenko, ka anuluar vizitë zyrtare të planifikuar për në Turqi, për shkak të siç ka thënë ai, vendosjes së trupave ruse në lindje të Ukrainës, pak orë pasi rebelët pro-rusë pushtuan qytetin bregdetar të Novoazovsk dhe kërcënuan se do të rimarrin së shpejti edhe portin strategjik të këtij rajoni, qytetin Mariupol.

Bota
Poroshenko tha se do të qëndrojë në Kiev për shkak të situatës së përkeqësuar në Donetsk, se ka thirrur në takim Këshillin Kombëtarë të Sigurisë, dhe se do të kërkojë mbledhje emergjente të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për të diskutuar situatën më të re të krizës në Ukrainë.
Edhe zyrtarë tjerë të lartë të Ukrainës kanë thënë në mënyrë të përsëritur se Rusia ka dërguar trupa dhe armatim për separatistët pro-rusë, porse Moska zyrtare i ka mohuar në vazhdimësi akuzat që kanë ardhur nga Kievi.
Për pjesëmarrjen në luftime të shtetasve rusë përkrahë rebelëve në dy rajonet ukrainase, Donetsk dhe Luhansk, ka folur edhe një udhëheqës rebel pro-rusë, Aleksandar Zakharchenko, i cili ka thënë se tre deri në katër mijë shtetas rusë, shumica prej tyre rezervistë, janë duke iu ndihmuar në terren për të luftuar trupat qeveritare ukrainase.
Zakharchenko, i cili është vetëshpallur kryeministër i Donetsk-ut, sipas BBC-së, ka thënë se trupat ruse që po luftojnë në lindje të Ukrainës nuk janë dërguar nga Rusia, por kanë ardhur në mënyrë vullnetare.
“Shumë ish-oficerë të rangut të lartë ushtarakë kanë dalë vullnetarë të bashkohen me ne. Ata janë duke luftuar me ne, duke pasur parasysh se është detyrë e tyre. Pastaj ka edhe shumë ushtarë të rregullt nga Rusia, të cilët ndodhen në pushim, dhe në vend që të shkojnë nëpër plazhe, kanë preferuar të kalojnë pushimet me neve, me vëllezërit e tyre që po luftojnë për liri”, ka thënë Zakharchenko, raporton lajmi.net.
Ofensiva e separatistëve pro-rusë është në rritje, pasi forcat qeveritare kanë bërë përparime të ndjeshme në javët e fundit, që po përpoqën të vënë nën kontroll dy rajonet me popullsi të përzier, ku në muajin prill u mbajtën referendumet për vetëqeverisje me synimin bashkimin me Federatën Ruse, ashtu sikurse veproi Krimea në muajin mars.
Raportimet për vendosjen e trupave ruse në Ukrainë kanë alarmuar edhe Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian, që Rusisë, për aneksimin e Krimesë nga Ukraina, i kanë vendosur sanksione ekonomike që prej muajit prill.
Një numër gjithnjë e më i madh i trupave ruse po përfshihet në luftime në lindje të Ukrainës, ka thënë ambasadori amerikan në Ukrainë, Geoffrey Pyatt,raporton BBC.
Ndërkohë për “vendosjen” e trupave ruse në Ukrainë ka reaguar edhe kancelaria gjermane, Angela Merkel, e cila ka kërkuar shpjegime nga presidenti rus, Vladimir Putin, derisa presidenti francez, Francois Hollande, ka thënë se do të ishte “e patolerueshme” nëse trupat ruse janë vendosur në Ukrainë, duke kërkuar nga Rusia të ndalë menjëherë dërgimin e ndihmave për kryengritësit. /lajmi.net/