Katër kosovarë të lënduar në aksidentin në Serbi

Katër persona nga Dragashi i Kosovës janë lënduar dhe janë dërguar në spitalin rajonal të qytetit dhe janë jashtë rrezikut për jetën.

Lajme

27/11/2013 09:19

Katër persona nga Dragashi i Kosovës janë lënduar dhe janë dërguar në spitalin rajonal të qytetit dhe janë jashtë rrezikut për jetën.

Aksidenti ka ndodhur kur autobusi i relacionit të rregullt Linc (Austri) – Dragash, i nisur nga Nishi në Prishtinë, në një kthesë të ashpër në Novo Sellë, rreth 5 kilometra nga Kurshumlija, ka rrëshqitur nga rruga duke u rrokullisur.

Sipas zëdhënëses së Spitalit rajonal të Kurshumlisë, “Dr. Aleks Saviç” Jelena Pantoviç, në mëngjesin e hershëm janë pranuar katër të aksidentuar me lëndime të rënda dhe të lehta.

Agjencia Tanjug nuk njofton për identitetin e të lënduarve e as përkatësinë e tyre kombëtare, megjithatë mësohet se R. C. (61) ka pësuar lëndime në kokë dhe trup, I. M. (31) ka lëndime sipërfaqësore më të lehta, F. K. (58) është e lënduar më shumë por ndodhet jashtë rrezikut për jetën, dhe DJ. D. (69) është pranuar në spital pa shenja të theksuara të lëndimeve por i ngarkuar me stres, ka thënë Pantoviç.

Ajo ka thënë se të lënduarit ndodhen jashtë rrezikut për jetën dhe mund të lëshohen gjatë ditës nga spitali, përjashtuar personin femër F. K. e cila sipas të gjitha gjasave do të qëndroj në spital deri në përmirësimin e gjendjes së saj. Sipas saj, të gjithë të lënduarit janë nga Dragashi i Kosovës dhe rrethina.

Edhe pse akoma nuk janë sqaruar të gjitha rrethanat e aksidentit, policia dyshon se shkak ishte shpejtësia e vozitjes dhe mospërshtatja me kushtet e rrugës. Në momentin e aksidentit në autobus ndodheshin 18 udhëtarë.

(Kosovapress)