Katër djem humbin jetën në Shkodër
Katër të rinj kanë humbur jetën, në një aksident trafiku, në Shkodër. Tragjedia u bë edhe më e madhe kur nëna e njërit prej viktimave pësoi atak në zemër dhe vdiq. Kryeministri Edi Rama shpreh hidhërimin e tij të thellë.
Lajme
Katër të rinj kanë humbur jetën, gjatë ditës së sotme, në Shkodër, në një aksident trafiku, raportojnë mediat në Shqipëri.
Siç mësohet, sipas të dhënave të para të policisë, një automjet ‘BMW’ me targë SH1818D është përplasur me një kamion me targa PU1463A, i cili transportonte lëndë drusore.
Nga kjo përplasje kanë vdekur katër persona, ndërsa një tjetër ndodhet në gjendje të rëndë në spitalin e qytetit.
Emrat e personave të përfshirë në aksident janë Raelv Duli 17 vjeç, Xheni Anamali 18 vjeç, Orlend Mreca 17 vjeç, Ledio Pirani 18 vjeç, Osman Mraja 18 vjeç.
Drejtuesi i ‘BMW’ ka mbetur i plagosur rëndë.
Thuhet se shkak i aksidentit dyshohet se ka qene shpejtësia e madhe e të dy automjeteve.
Tragjedia është bërë edhe më e madhe kur pak kohë pasi lajmit për humbjen e jetës së të birit, siç raportojnë mediat shqiptare, ka humbur jetën edhe nëna e tij, pasi është goditur nga një sulm në zemër.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka ngushëlluar familjet, duke shprehur hidhërimin e tij të thellë për aksidentin që la të vdekur katër të rinj.
“Janë rrokullisur drejt së përtejmes, shumë më shpejt se vrapi i makinave që i sosi frymën, jetët e katër djemve të rinj nga Shkodra, që zhytet në zi me vuajtjen e katër familjeve, të cilat nuk ka fjalë t’i ngushëllosh.”
“Por, unë dua të shpreh, në radhë të parë, si prind, hidhërimin tim tejet të thellë për tragjedinë, që mori katër jetë të reja.”
“Si përfaqësues i shtetit shqiptar, dua të shpreh vendosmërinë për të marrë në vijimësi të gjithë masat e nevojshme, që do të parandalonin, deri aty ku është e mundur, tmerre të tilla dhe aksidentet rrugore, që vazhdojnë të jenë kërcënimi më i madh për jetët e qytetarëve tanë.”
“Durim e forcë paçi, dua t’u them si bashkëqytetar katër familjeve. Qoftë i ndritur vendi e kujtimi i djemve tuaj”, ka shkruar Edi Rama në mesazhin e tij.