Katër ditë bisedime në Bruksel
Zyra e Kryeministrit të Kosovës thotë se temat që priten të diskutohen gjatë këtij raundi janë: çështja e zgjedhjeve lokale, liria e lëvizjes, doganat, si dhe çështja e zyrave ndërlidhëse.

Nga sot deri më 4 tetor, grupet punuese nga Kosova dhe Serbia do të diskutojnë në Bruksel në kuadër të dialogut për zbatimin e marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve ndërshtetërore në mes të Republikës së Kosovës dhe Serbisë, me lehtësimin e Bashkimit Evropian.
Një komunikatë e lëshuar nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës thotë se temat që priten të diskutohen gjatë këtij raundi janë: çështja e zgjedhjeve lokale, liria e lëvizjes, doganat, si dhe çështja e zyrave ndërlidhëse.
Çështja e aplikacioneve të votuesve serbë, refugjatë që jetojnë në Serbi, është bërë temë polemikash ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, ditëve të fundit.
Zyrtarë të Qeverisë së Serbisë janë ankuar se një numër i madh aplikacionesh të ardhura përmes OSBE’së, janë refuzuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
Përderisa në Kosovë, me këtë çështje deri më tani është marrë vetëm KQZ, në Beograd ajo ka arritur deri te niveli më i lartë politik.
Kryeministri i Serbisë, Ivica Dacic ka deklaruar se së bashku me ministrin pa portofol i ngarkuar për Kosovë Aleksadër Vulin, ka biseduar ambasadorët e shteteve të Qunit-it dhe të misionit të BE-së ku ka përsëritur se interes i Serbisë është që numri i serbëve që dalin në zgjedhjet e 3 nëntorit të jetë sa më i madh.
“Interesi ynë është që i gjithë ky proces të kalojë në paqe, që sa më shumë serbë të dalin në zgjedhje dhe që lista (Iniciativa qytetare e serbëve) të cilën e mbështet qeveria serbe, të fitojë sa më shumë vota”, ka thënë Dacic për mediat serbe.
Sipas kryeministrit serb, gjatë këtyre takimeve, u ka bërë me dije këtyre ambasadorëve se problemi më i madh që mund të paraqitet gjatë zgjedhjeve lokale është përfshirja e listës serbe në organet zgjedhëse dhe e drejta e serbëve të shpërngulur për të ushtruar të drejtën e votës.
Kryeministri serb ka bërë të ditur se fushata zgjedhore e listës serbe do të fillojë të premten. Ai gjithashtu ka thënë se nuk pritet ndonjë takim i afërt me kryeministrin e Kosovës Hashim Thaçi, pasi që në takimet e përfaqësueses së lartë të BE-së Catherine Ashton të zhvilluara me Presidentin e Serbisë Tomislav Nikolic dhe kryeministrin Thaçi, është diskutuar për zgjedhjet e Kosovës.