Katër amerikanë vriten në Afganistan

Katër amerikanë janë vrarë në Afganistan nga shpërthimi i një bombe pranë bazës kryesore ajrore të NATO-s në Afganistan.

Bota

09/04/2019 08:57

Tre shërbyes të ushtrisë amerikane dhe një kontraktor amerikan u vranë nga shpërthimi i bombës në anë të rrugës, pranë bazës kryesore ajrore të NATO-s në Afganistan.

Përgjegjësinë për sulmin e morën talibanët.

Misioni Mbështetës i NATO-s tha përmes një deklarate se katër amerikanë janë vrarë pranë bazës Bagram, rreth 50 kilometra në veri të Kabulit.

Sipas deklaratës, tre ushtarë amerikanë janë plagosur po ashtu, transmeton Radio Evropa e Lirë.

Incidenti çon në shtatë numrin e ushtarëve të vrarë amerikanë këtë vit në Afganistan.

Dhuna në Afganistan vazhdon, edhe pse militantët talibanë po mbajnë negociata me zyrtarët amerikanë për gjetjen e një zgjidhjeje që do t’i jepte fund luftës gati 18-vjeçare në këtë vend.

Misioni i NATO-s në Afganistan aktualisht përfshin 17,000 trupa – rreth gjysma e tyre nga Shtetet e Bashkuara.