Katari i interesuar për Kosovën
Ministri i Jashtëm, Enver Hoxhaj, ka diskutuar nëpërmjet telefonit me homologun e tij nga Katari Khalid Bin Mohammad Al Attiyah për fuqizim të marrëdhënieve ndërshtetërore.

Lajme
Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka zhvilluar një bisedë telefonike me Ministrin e Shtetit për Punë të Jashtme të Katarit, Khalid Bin Mohammad Al Attiyah.
Në një komunikatë të lëshuar nga Ministria e Jashtëm, thuhet se në këtë bisedë ministrat e jashtëm të dy shteteve kanë biseduar për fuqizimin e marrëdhënieve bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Katarit.
Hoxhaj ka vlerësuar lart përkrahjen që ky shtet ka dhënë për Kosovën, pas njohjes së pavarësisë.
“Hoxhaj gjatë bisedës e ka njoftuar homologun nga Katari edhe për konsolidimin e shtetësisë së Kosovës dhe për forcimin e pozitës ndërkombëtare, përmes njohjes universale të saj”, thuhet në këtë komunikatë.
Ministri i Shtetit i ka rikonfirmuar Ministrit Hoxhaj mbështetjen e Katarit për fuqizimin e shtetësisë dhe subjektivitetit ndërkombëtar të Republikës së Kosovës.