Katari i gatshëm për bashkëpunim ekonomik më Kosovën

Presidentja e Republikës së Kosovës Atifete Jahjaga priti sot në takim Yousuf Hassen Al-Saaii, ambasadorin jorezident të Katarit në Kosovë, i cili i dorëzoi letrat kredenciale. Al-Saaii takoi edhe ministrin Hoxhaj, ku i premtoi edhe përkrhaje në sferën ndërkombëtare.

Lajme

14/10/2014 13:47

Presidentja Atifeta Jahjaga ka shprehur gatishmërinë e institucioneve të Kosovës për thellim të marrëdhënieve dhe bashkëpunimit me Shtetin e Katarit.

Ajo këto komente i bëri pas takimit me Al-Saaii, të cilin e uroi për detyrën e re dhe i dëshiroi sukses në përmbushjen e misionit të tij si ambasador jorezident në Prishtinë, thuhet në njoftim të Presidences.

Ndërsa, ambasadori Al-Saaii, shprehu gatishmërinë e institucioneve të vendit të tij për të thelluar bashkëpunimin me institucionet e Republikës së Kosovës në çdo fushë me interes të ndërsjellë.

—————————————————-

Al-Saaii takoi edhe ministrin e Jashtëm Enver Hoxhaj, ku i premtoi edhe përkrhaje në sferën ndërkombëtare.

Ndërsa, duke i dëshiruar mirëseardhje në Kosovë, ministri Hoxhaj gjatë takimit theksoi marrëdhëniet e shkëlqyera që kanë këto dy shtete.

Në një njoftim për media nga MPJ, thuhet se pasi e njoftoi për progresin, forcimin e shtetësisë dhe subjektivitetit ndërkombëtar, Hoxhaj e falënderoi ambasadorin për përkrahjen e vazhdueshme të Katarit për Kosovën në arenën ndërkombëtare dhe potencoi rëndësinë e thellimit të bashkëpunimin politik, ekonomik dhe tregtar.

Ambasadori i Katarit në Shqipëri, jorezident në Republikën e Kosovës, Yousef Hassan Al-Saai, shprehu gatishmërinë e tij për të kontribuar në nxitjen e bashkëpunimit dypalësh me fokus ekonominë dhe tregtinë.

Al-Saai po ashtu theksoi që Katari do të vazhdojë të mbështesë Kosovën në arenën ndërkombëtare dhe do të ndihmojë në shtimin e numrit të njohjeve dhe në procesin e anëtarësimit të Kosovës në arenën ndërkombëtare.