Kasapolli: MSA nënshkruhet në pjesën e parë të vitit 2015
MSA nuk do të ndodhë gjatë këtij viti. Gëzim Kasapolli ushtrues detyre i ministrit të Integrimeve Europiane ka thënë se një gjë e tillë pritet të bëhet në vitin 2015. Ai për lajmi.net ka mohuar që kriza politike të ketë ndikuar në këtë proces. Mirëpo, njëjtë nuk mendon edhe njohësi i proceseve integruese Emrush Ujkani, i cili thotë se kriza politike e ka shtyrë MSA-në.
Lajme
Nënshkrimi i Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA),për Kosovën, edhe pse ishte thënë se do të arrihet gjatë këtij viti, një gjë e tillë nuk do të ndodhë.
Në Ministrinë e Integrimeve Europiane thonë se vonesat nuk kanë të bëjnë me krizën politike, por për shkak të natyrës së procesit.
Ushtruesi i detyrës së ministrit të Integrimeve Europiane, Gëzim Kasapolli, për lajmi.net ka thënë se nënshkrimi i MSA-së, pritet të ndodh në pjesën e parët të vitit 2015.
“Ne kuadër të dinamikes së paraparë, ne presim që në pjesën e parë të vitit të ardhshëm të bëhet nënshkrimi i MSA-së”.
Takimi i parë i palës kosovare me Komisionin Europian për negocimin e MSA-s, kishte filluar më 23 tetor të vitit 2013. Ndërkaq që raundin e tretë dhe të fundit të bisedimeve e ka zhvilluar më 2 maj të këtij viti.
Më 25 korrik janë vënë inicialet nga dy negociatorët për MSA-në, ku ishte thënë se në vjeshtë Kosova do ta përfundojë marrëveshja për MSA-në.
Një gjë e tillë nuk ka ndodhur, pasi që e gjithë skena politike në vend, përfshirë edhe partinë politike në pushtet, agjendë kryesore tash e pesë muaj kanë krijimin e institucioneve të reja, proces ky i stërzgjatur nga bllokada politike.
Por vonesa e nënshkrimit, sipas Kasapollit, nuk ka të bëjë me krizën politike, por për faktin se ky proces është teknik dhe i gjatë.
“Ky është proces teknik dhe i gjatë që ndodh në kuadër të institucioneve të BE-së. Vetëm për të ilustruar kompleksitetin e kësaj çështje, përkthimi i MSA-së në 24 gjuhë zyrtare të BE-së do të merr disa muaj kohë”.
“Pastaj do të fillojë procesi i konsultimeve brenda shteteve anëtare, si dhe ndërmjet institucioneve të BE-së, Komisioni Europian, Këshilli i BE-së dhe Parlamenti Europian”.
“Sa i përket ndërlidhjes se situatës momentale politike me procesin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, nuk konsiderojmë që ekziston ndonjë lidhje e veçantë, pasi që procesi negociator është i përmbyllur dhe tani jem në fazën burokratike dhe teknike të miratimit të dokumentit”, ka thënë Kasapolli.
Por Emrush Ujkani njohës i proceseve të Integrimeve Europiane ka thënë se kriza politike ka ndikuar negativisht edhe sa i përket MSA-së.
Ai për lajmi.net ka thënë se BE është duke hezituar që ta përfundojë Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit me Kosovën, përderisa Kosova nuk i formon institucionet e reja.
“I gjithë procesi që është duke ndodhur tash e katër-pesë muaj në Kosovë, natyrisht që nuk e ka ndihmuar shumë këtë proces , përkundrazi e ka penguar atë, jo në aspektin procedurial , por në këtë situatë BE, dëshiron të tregohen më dorështrënguar, përderisa Kosova të mos arrijë t’i krijojë institucionet e veta”, ka thënë Ujkani, për lajmi.net.
Ai duke shpjeguar procedurat e miratimit të MSA-së, ka thënë se nga Komisioni Europian – si inicuese e kësaj marrëveshje, së bashku me institucionet e Kosovës – propozimi shkon në Këshillin e BE-së dhe aty duhet të miratohet. (lajmi.net)