Kasami: Ja si e mposhtëm Juventusin

Heroi i Olympiacosit në fitoren ndaj Juventusit, Pajtim Kasami, ka zbuluar planin e skuadrës së tij që funksionoi për mrekulli në ndeshjen e Ligës së Kampionëve në Athinë.

Sport

23/10/2014 14:05

Pajtim Kasami vendosi ndeshjen mes Olympiacosit dhe Juventusit në kuadër të Grupit A në Ligën e Kampionëve.

Goli i mesfushorit shqiptar e udhëhoqi skuadrën greke drejt fitores me rezultat 1:0. Dhe, Kasami ka zbuluar planin e Olympiacosit kundër Bianconerëve.

“Objektivi ynë i pari ishte që të qëndrojmë kompakt dhe të mos bëjmë gabime. E dimë se Pirlo është një fenomen i cili luan shpesh me Vidalin dhe Pogban. Deshëm t’i ndëshkonim me kundërsulme dhe ia dolëm”, deklaroi Kasami për “Sky Sport”.

“E dimë se Juventus është skuadra më e fortë në Itali. Por, në Ligën e Kampionëve kush shënon gol fiton. Sigurisht, ata patën shumë raste për shënim por goli mjafton”, u shpreh ai.