Karzai përshëndet vendimin e Obama-s

Presidenti afgan, Hamid Karzai e ka përshëndetur vendimin e Shteteve të Bashkuara për t’i dhënë fund pranisë aktive ushtarake në Afganistan deri në fund të vitit 2016.

Bota

28/05/2014 23:14

Përmes një deklarate të lëshuar, Karzai ka thënë se “fundi i pranisë ushtarake amerikane dhe marrja e sigurisë nën kontroll nga forcat afgane ishte një dëshirë e presidentit, qeverisë dhe e popullit të Afganistanit”. 

Presidenti Obama më 27maj ka njoftuar se trupat amerikane do të qëndrojnë në Afganistan deri në fund të vitit 2016, dhe deri në këtë periudhë do të kenë rol këshillues dhe do të jenë kundër terrorizimit.

Të dy kandidatët për president të Afganistanit, të cilët do të shkojnë në balotazh, e kanë mirëpritur planin e SHBA-ve për të mbajtur trupat ushtarake në këtë vend edhe pas vitit 2014, transmeton REL. 

Talibanët, në anën tjetër, kanë thënë se ky vendim paraqet vazhdim të pushtimit.

Presidenti i SHBA-ve ka thënë se do të insistojë që një forcë prej 9,800 trupash amerikane të mbetet në Afganistan edhe pas 2014-ës, kur përfundon misioni luftarak.