Kardiologët e QKUK-së ndërpresin grevën  

Kardiologët thanë tash se nuk janë kundër hetimeve, por mënyrës se si ato janë bërë publike, transmeton lajmi.net

Lajme

01/02/2016 13:11

 

Kardiologët e QKUK-së vendosën të ndërprenë grevën e nisur katër ditë më parë, për t’iu kthyer punës normale.

Në njoftimin e lëshuar nga Ministria e Shëndetësisë, shkruan se vendimi për ndërprerje të grevës është marrë pas takimit të palëve, transmeton lajmi.net

Në takim ishin kardiologët,   Ministri i Shëndetësisë, Imet Rrahmani, dhe me prezencë të zyrtarëve të  Federatës Sindikale të Shëndetësisë dhe drejtorit të përgjithshëm i SHSKUK-së, Curr Gjocaj.

Pas takimit, Ministri Rrahami tha se është  i kënaqur që kardiologët do të rifillojnë punën.

“Kam kuptuar se ata nuk janë kundër hetimeve të prokurorisë dhe përkrahin ato, por kundër  mënyrës si janë bërë publike ato”, tha ministri Rrahmani, transmeton lajmi.net.

Ministri Rrahmani ritheksoi se Ministria e Shëndetësisë nuk është kundër hetimeve të mjekëve dhe në asnjë mënyrë  nuk ka bërë dhe nuk bën presion ndaj prokurorisë.

Në anën tjetër  kryetari i Federatës Sindikale të Shëndetësisë, Blerim Syla, njoftoi se pas bisedave që kanë pasur janë pajtuar që greva të ndërpritet.

“Jemi kundër linçimit dhe etiketimit publik që po u bëhet mjekëve,  por nuk jemi kundër hetimeve që po bën prokuroria”, tha Syla, transmeton lajmi.net.

Ai tha se do të shikohen mundësitë ligjore që të kërkohet nga Këshilli  Prokurorial të  fillojë procedurë hetimore se si ka rrjedhë procesi.
Syla  paralajmëroi se nëse do të përsëriten  raste të tilla të linçimit publik ndaj punëtorëve shëndetësor, Sindikata do të ndërmarrë  masa radikale.

Prokuroria e Shtetit është duke bërë hetimin e mbi 100 personave, përfshirë shumë kardiologë të cilët dyshohen se kanë referuar drejt spitaleve private, me arsye e pa arsye, shumë pacientë për vendosjen e stentave, transmeton lajmi.net

Madje mediat kanë raportuar se shumë nga këta kardiologë kanë marrë edhe shpërblime financiare nga spitalet private, për shkak të referimit të pacientëve. /lajmi.net