Karantinimi në Smrekonicë me shumë telashe, banorët ankohen për mungesë të rrymës

Përfaqësuesi i fshatit Smrekonicë e Vushtrisë, Fidan Bejta, ka treguar për problemet me të cilat ata po ballafaqohen gjatë karantinimit lidhur me situatën e krijuar pas virusit Covid-19.

Lajme

08/04/2020 00:25

Ai ka treguar për Klan Kosova, se nga ky fshat kanë rezultuar edhe shtatë raste të tjera pozitive me koronavirus.

Bejta është shprehur se një nga problemet me të cilat janë ballafaquar në karantinim ka qenë mungesa e energjisë elektrike.

”Prej ditës që ka rezultuar rasti i parë, kanë nisur edhe reduktime të pamëshirshme nga KEDS-i. Vetëm sot kemi pasur gjithë ditën vetëm dy ore energji elektrike, më shumë jo. Nuk e di as ku është problem, kemi kontaktuar edhe me kryetarin e komunës edhe ai ka shfaqur interesin për të na ndihmuar duke biseduar me KEDS, por ende s’kemi pranuar ende asnjë përgjigjie”.


Sa po e vështirëson jetën në karantinë mungesa e energjisë elektrike?

”Ky fakt po e rrit panikun, stresin po e vështirëson jetën e banorëve në fshat. Gjithçka po është jashtë kontrolli, po mërziten njerëzit shumë. Është një frikë e madhe, por po ia dalim disi, ndonëse problemi me KEDS e ka shtuar panikun”.

Veç këtij problemi Fidan Bejta thotë se të karantinuarit e këtij fshati po përballen edhe me disa telashe tjera.

”Nuk po iu lejohet dalja e njerëzve për gjësende elementare, sot kishte tri raste për barëra të cilat personat kanë nevojë për terapi të vazhdueshme. Ka pasur moskoordinim total prej Institutit të Shëndetësisë dhe Policisë së Kosovës. Nuk kanë bashkëpunuar fare mes vete këty dy institucione”.

”Është dashur të pritej gjysmë ore derisa iu është mundësuar testimi i personave për të cilët dyshohen se kanë koronavirusin”.