Kaq para shkojnë për Shqipërinë nga fondi i grumbulluar për Xhakën dhe Shaqirin

10,000 dollarë të mbledhur gjatë verës së vitit 2018 nga kontoja e fondit “Xhaka – Shaqiri” – pas dënimit nga FIFA për simbolin e flamurit që ata bënë kundër Serbisë – do të shkojnë për të prekurit nga tërmeti në Shqipëri.

Sport

29/11/2019 10:18

Kështu ka thënë iniciatori i atij donacioni, Rilind Reka, përmes një postimi në llogarinë personale në Facebook.

“Duke ju bashkangjitur ndihmave për tërmetin në rajonin e Durrësit, kam autorizuar donacion prej $10,000 nga kontoja e fondit Xhaka, Shaqiri për simbolin e Flamurit”, ka thënë Reka.

Paratë e mbledhura me qëllim pagesën e gjobave të shqiptuara nga FIFA ndaj futbollistëve shqiptarë të Zvicrës, Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri, ishin paraparë t’i dorëzoheshin Federatës së Futbollit të Zvicrës.

Por, Federata e Futbollit të Zvicrës nuk e kishte pranuar fondin e mbledhur nga shqiptarët për t’i paguar gjobat e futbollistëve që bënë shqiponjën pas golave ndaj Serbisë në Botëror.

Rilind Reka, asokohe kishte treguar në Facebook se Federata e Zvicrës i ka rekomanduar që paratë e grumbulluara të dorëzohen për ndonjë kauzë të mirë.