Kapja e një numri të madh të veturave të vjedhura brenda pak kohësh, flasin nga Policia e Kosovës

Përbrenda një periudhe të shkurtër, Policia e Kosovës ka arritur t’i konsifikojë gjashtë vetura të vjedhura më herët, që kanë qarkulluar në territorin e Republikës së Kosovës. Krejt kjo po bëhet me anë të bashkëpunimit të forcave të rendit me Agjencinë Evropiane të Rojës Kufitare dhe Bregdetare (FRONTEX).

Lajme

04/06/2022 23:00

Të pyetur nëse ndalja e këtyre veturave të vjedhura nëpër pika kufitare janë ndonjë operacion i veçantë me FRONTEX, nga Policia e Kosovës për lajmi.net e kanë mohuar një gjë të tillë, por ka thënë që ka të bëjë me kryerjen e detyrave të rregullta.

“Referuar kërkesës suaj ju njoftojmë se nuk kemi të bëjmë me operacion të veçantë por kryerjen e detyrave të rregullta dhe shtimin e kontrollit në vijën e dytë nga ana e zyrtareve policorë të PK, si dhe rritjen e bashkëpunimit me policët e FRONTEX-it që janë në monitorim në PPKK Vërmicë-Morinë. Ky bashkëpunim do të vazhdoj edhe në të ardhmen. Ndersa për këtë periudhë kohore nga Policia Kufitare  deri më tani janë konfiskuar 6 vetura të vjedhura dhe falsifikuara në vende të ndryshme”, kanë bërë të ditur nga Zyra e Informimit të Policisë së Kosovës me anë të një përgjigje me e-mail.

Mediumi ka dërguar pyetje edhe në adresën e FRONTEX-it për të njëjtën çështje, por këta të fundit nuk janë përgjigjur deri në momentin e publikimit të këtij artikulli.

Vetura që së fundmi është konfiskuar në pikën kufitare në Vërmicë në kuadër të bashkëpunimit PK-FRONTEX, ka rezultuar të jetë e vjedhur që nga viti 2019 në Shqipëri.

“Në Pikën e Kalimit Kufitar në Vërmicë, në hyrje nga territori i Republikës së Shqipërisë, më 01.06.2022 rreth orës 19:20 vije vetura Land Rover me targa të Shqipërisë e cila drejtohej nga: B.K., (viti i lindje 1999, shtetas i Shqipërisë). … Është ardhur në përfundim se vetura në fjalë rezulton e vjedhur në vitin 2019 në Shqipëri”, u than ë njoftimin e fundit të PK-së në ‘Facebook’.

Në fund të muajit të kaluar, janë identifikuar dy BMW X6 të vjedhura që nga viti 2010, të vjedhura në Itali, e më pastaj të regjistruara me targa falso në Shqipëri. Forcat e rendit dhe trupat e FRONTEX kishin pasur dyshimet e para në ndërhyrje mekanike të veturës.

Policia në bashkëpunim me FRONTEX-in arriti të identifikojë dhe ndalë edhe një veturë të vjedhur në Holandë të vitit 2020. I dyshuari për vjedhjen e veturës, sipas PK-së, kishte pasur ndërhyrje mekanike në pjesë identifikuese të automjetit.

Në muajin maj të vitit 2016, Kosova ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me Frontex-in, agjenci e specializuar e Bashkimit Evropian për menaxhim të kufijve dhe luftimin e të gjitha krimeve ndërkufitare. /Lajmi.net/