Kapet avioni me drogë nga Shqipëria, u nis nga Leçe në Torino

Një avion i vogël, i njohur nga policia italiane, pasi ishte gjurmuar prej kohësh, është zbuluar teksa transportonte një sasi prej 80 kilogramësh marijuanë nga Leçe në drejti të Torinos.

Lajme

08/09/2015 08:27

Historia e avionëve, si mjet transportimi lëndësh narkotike, duket se tashmë është bërë e modës, ndërsa policia italiane bën me dije se kësaj radhe ka arrestuar dy shtetas italian dhe dy shtetas shqiptar. Nëse dy shqiptarët italianët e hetimit pretendojnë si persona që siguronin lëndën narkotike në Shqipëri, mësohet se dy shtetasit e tyre ishin posedues të avionit dhe se njëri prej shtetasve të tyre është edhe pronar i një prej restoranteve më të njohura në Torino.

Mirëpo përgjatë gjithë ditës së djeshme italianët i kanë bërë jehonë faktit që droga me avion vinte nga Shqipëria, ndonëse nisja e fluturimit, sipas medieve italiane, është fiksuar nga Leçe në drejtim të Torinos. Në një dalje publike të autoriteteve italiane të hetimit të këtij rasti bëhet e ditur se avioni me 80 kg drogë është nisur nga Shqipëria, më saktë nga Vlora dhe është ulur fillimisht në Leçe, për të vijuar më pas fluturimin në drejtim të Torinos, vend ku edhe pretendohet se është një prej bastioneve më të fuqishme të trafikut të drogës nga Shqipëria në Itali dhe ku bosët e vërtet janë grupe kriminale të përbashkëta me shtetas italianë dhe shqiptarë.

Policia italiane

Referuar të dhënave zyrtare të Policisë së Shtetit të Italisë bëhet me dije se avioni ishte i destinuar të transportonte ngarkesa të mëdha të drogës nga Shqipëria në drejtim të Italisë. Në një komunikim zyrtar, autoritetet e kësaj policie kanë qartësuar se ngarkesat me marijuanë nga Shqipëria kishin destinacion krahinën e Piemontes ndërsa avionët që përdoren nga organizatat kriminale janë të lehtë, model dinamik që iu shpëtojnë kontrolleve kufitare.

Trafiku ndërkombëtar i drogës që kishte si bazë të tij aeroportin turistik të Gattinares pranë Veçelit, u zbulua nga skuadra e anti-drogës së Torinos, ndihmuar edhe nga Departamenti i Parandalimit të Krimit të Milanos. Arrestimi i katër personave dhe sekuestrimi i avionit me 80 kg drogë ka bërë që autoritetet e hetimit italian të gjurmojnë edhe për bashkëpunëtorë të tjerë në trafikun e drogës, pasi ka dyshime se grupi është i madh në numër dhe shumë i organizuar.

Policia italiane ka nisur paralelisht edhe verifikimin e pasurive të katër personave të arrestuar, ndërsa kanë bërë me dije se edhe dy shtetasit shqiptarë janë persona rezidentë në Itali, ndërsa njëri prej tyre, ai edhe që dyshohet si kreu i grupit kriminal, është një person i njohur në fushën e trafikut të drogës nga autoritetet italiane. Sipas të dhënave që janë bërë publike dje nga një mori mediesh, mësohet se në fakt, ky avion është zbuluar teksa lëvizte nga Shqipëria në drejtim të Italisë edhe në qershor të këtij viti dhe me 1 shtator. Policia vendase sqaron se trafikantët ishin specialistë të modifikimit, ndaj edhe janë zbuluar kaq vonë.

‘Ngecja’

Kështu është emërtuar operacioni i policisë italiane që ka bërë të mundur zbulimin e avionit të radhës që shpërndante drogë nëpër Itali. Ata pretendojnë që droga vinte nga Shqipëria, ndonëse stacioni i nisjes kësaj radhe ka qenë Leçe, ose të paktën aty është zbuluar nisja dhe destinacioni për në Torino. Grupi kriminal dyshohet se është i përbërë nga shumë anëtarë me origjinë italiane e shqiptare, të cilët janë të njohur nga forcat e rendit, pasi organet e hetimit pretendojnë se i kanë të skeduar edhe më parë për krime të ndryshme.

Referuar medieve italiane mësohet se avioni ishte i modifikuar për transportimin e drogës dhe ishte i modelit “Dynamic”. Sipas medieve italiane avioni ishte modifikuar në brendësi të tij për të lehtësuar ngarkesën dhe për të lejuar transportimin e sasive sa më të mëdha të marijuanës. Avionit i ishin hequr sediljet e pasme dhe ishte krijuar hapësira e duhur për të zënë sasinë e përcaktuar të lëndës narkotike.

Sipas hetimeve mësohet se një person siguronte drogën në Shqipëri dhe e transportonte në drejtim të një tip piste ku mund të kryente uljen avioni. Dyshimet sërish janë se si pistë në rrethin e Vlorës të ketë shërbyer fusha e Dushkarakut, pikërisht në zonën ku u tha se u nis edhe avioni tjetër që drejtohej nga 26-vjeçari shqiptar me origjinë nga Sevasteri, i cili u kap në zonën e Pulias, teksa bënte uljen në një pistë të ‘harruar’ nga aviacioni italian.

Ja kush janë anëtarët e grupit kriminal

Nisja është bërë nga aeroporti turistik i Vercellit. Ky ka qenë fakti që është zbuluar nga policia italiane teksa përgjonte të dyshuarit. Është saktësuar se mjeti transportues do të jetë avion ndërsa udhëtimi do të jetë në drejtim të një vendi të panjohur në Shqipëri. Sipas të dhënave, edhe në muajin qershor, i njëjti avion ka sjellë 80 kg ndërsa në shtator ishte parashikur ta transportonte 120 kg.

Udhëtimi i 1 shtatorit ka dështuar për shkak se avioni ka pësuar një defekt teknik në ngritje, ndërsa rruga është lënë të kryhet dy ditë më parë. Sipas policisë mësohet se personat e arrestuar janë pikërisht Maksim Llanaj, 37 vjeç, nga Vlora, Fitor Alliaj, i njohur me nofkën “Vito”, 43 vjeç, nga Dushkaraku i Vlorës, Pasquale D’Ambrosio Pasquale, 58 vjeç, pronar i restortantit të njohur në Piemonte “Arrat” dhe Rosario Campisi, 60 vjeç. Avioni mësohet se ishte në pronësi të italianit, i cili ishte edhe biznesmen i njohur, ndërsa vlera e drogës kapte shifrat e 250 mijë eurove vetëm ajo e ngarkesës së kapur nga policia. Sipas të dhënave saktësohet se droga më pas shpërndahej nëpër të gjithë krahinën e Piemontes nga shpërndarës që ishin pjesë e grupit që drejtohej nga dy italianët e dhe dy shqiptarët. /Shekulli