Kapen 44 kilogramë marihuanë në Gjilan

Policia e Kosovës, në rajonin e Gjilanit ka konfiskuar rreth 44 kilogramë marihuanë. Kjo sasi e drogës u gjet në veturën me targa të Serbisë, të cilën e ngiste një shqiptar me shtetësi serbe.

Lajme

16/11/2013 13:53

Mbrëmë në rajonin e Gjilanit, Policia e Kosovës ka kapur rreth 45 kilogramë substanca narkotike, që dyshohet të jetë e llojit marihuanë.

Kjo sasi droge është gjetur në bagazhin e veturës të tipit BMW me targa të Serbisë, që e ngiste një shqiptar me shtetësi serbe. Personi, që është rreth moshës 20 vjeç është arrestuar si i dyshuar dhe i është shqiptuar masa e ndalimit prej 48 orësh.

Ushtruesi i Detyrës së Drejtorit të Drejtorisë për Hetimin për trafikim të narkotikëve, Reshat Murseli tregoi për detajet e këtij operacioni policor, në rajon të Gjilanit.

“Mbrëmë rreth orës 21:00, Drejtoria e Hetimit të Trafikimit me Narkotikë, e mbështetur edhe nga Policia Rajonale e Gjilanit, në rajonin e Gjilanit, gjatë një kontrolli, ka ndaluar veturën BMW me targa të Republikës së Serbisë, të cilën poashtu e ngiste një shqiptar, shtetas i Serbisë i moshës rreth 20 vjeç”.

“Gjatë kontrollit që i është bërë veturës, në bagazhin e saj janë gjetur 3 çanta sportive, në brendësinë e të cilave janë hasur 42 paketime të narkotikëve të dyshuara të llojit marihuanë. Në peshë arrin rreth 44 kilogramë. Personi është arrestuar në vendin e ngjarjes nga Policia e Kosovës, ndërsa narkotikët dhe vetura është konfiskuar”.

“Të gjitha këto veprime kanë qenë të koordinuara me Prokurorinë për krime të rënda në Gjilan dhe personit të dyshuar i është caktuar masa e ndalimit policor për 48 orë. Janë konfiskuar edhe vetura edhe narkotikët”.

Murseli tha se ky aksion dëshmon për efikasitetin dhe suksesin e vazhdueshëm të Policisë së Kosovës.

“Policia e Kosovës e mbështetur në strategjitë të cilat dalin për luftimin e krimit të organizuar dhe realizimin e objektivave të saj, me sukses të vazhdueshëm është duke u treguar efikase dhe këtë e dëshmon me rezultatet e një pas njëshme”, tha Reshat Murseli.