Kapacitetet e Klinikës Infektive për të përballuar koronavirusin

Dhjetëra persona në Kosovë tashmë u janë nënshtruar kontrolleve dhe analizave nën dyshimin se mund të jenë të prekur nga Koronavirusi.

Lajme

26/02/2020 17:25

Deri tani asnjë prej tyre nuk ka rezultuar të jetë i prekur nga ky virus, origjina e të cilët mendohet të jetë nga Kina, dhe përgjegjësit e shëndetësisë publike në Kosovë kanë deklaruar se nuk ka vend për panik. Gjithashtu tashmë është miratuar plani i gatishmërisë dhe reagimit për koronavirusin.

Klinika Infektive në Prishtinë ka rreth 120 shtretër dhe aktualisht 11 dhoma me 22 shtretër janë vënë në dispozicion të pacientëve që u nënshtrohen ekzaminimeve nën dyshimin se janë të prekur nga koronavirusi. E kjo është bërë në një repart të vetëm brenda Klinikës Infektive, ku mjekët thonë se e kanë izoluar për raste të tilla.

Në këtë klinikë thonë se aktualisht vendi gjendet në fazën kur rastet e ekzaminimeve janë të përditshm e dhe se mund të jetë numër i madh i atyre që u nënshtrohen analizave, por që të prekur nga ky virus nuk ka në Kosovë.

Infektologu Valbon Krasniqi thotë për KosovaPress se në Klinikën Infektive është izoluar një repart ku shtrihen vetëm personat që u nënshtrohen analizave për koronavirus, derisa të dalë rezultati i tyre.

“Kemi caktuar repartin ku do të shtrihen këta persona derisa të dalin rezultatet, pastaj dhomën e trizhimit ku do të kenë kontakt për herë të parë me personelin dhe jo të kalojnë nga dhomat apo korridoret ku ekzaminohen e tjerë. […] Ne kemi izoluar një repart të caktuar, një repart të tërë për këta pacientë dhe këta nuk kanë kontakt me të sëmurët e tjerë, po ashtu e kanë dhomën e trizhit, portën hyrëse e kanë të veçantë, pajisjet që përdorën janë t ë veçanta, gjithçka është në kuadër të masave që rekomandohen për t’i izoluar këta pacientë deri në momentin kur konfirmohet nëse janë të prekur nga koronavirusi”, thotë ai.

Ai thotë se planifikimet i kanë bërë me kohë pranë organeve përgjegjëse lidhur me pajisjen me masa mbrojtëse, në rast se paraqitet fluks i madh i pacientëve.

Klinika Infektive ka rreth 120 shtretër gjithsej, dhe aktualisht 11 dhoma me 22 shtretër janë vënë në dispozicion të pacientëve që u nënshtrohen ekzaminimeve nën dyshimin e janë të prekur nga koronavirusi.

“Tani për tani ne nuk kemi një situatë të tillë epidemiologjike dhe ne nuk mund të parashohim nëse do të paraqitet fluks i madh, ne i kemi në dispozicion afër 120 shtretër në Klinikën Infektive, tani për tani i kemi paraparë që një repart mjafton të izolohet në rast se paraqitet një numër më i madh e lirojmë edhe një repart tjetër, por në rast se veç paraqitet numër i madh ne mund të lirojmë të gjithë klinikën por normalisht pacientët pastaj do të marrin shërbime nëpër reparte të tjera. […] I kemi diku 11 me 22 për momentin (në repartin e izoluar) por nuk shfrytëzohen të gjitha sepse nuk kemi ende raste të tilla në numër kaq të madh”, thotë ai.

Krasniqi thotë se nuk ka vend për panik, derisa shton se kanë përvoja në menaxhimin e situatave të tilla duke kujtuar kohën kur ishte përhapur gripi i derrit dhe ethet hemorragjike.

Ai thotë se është e rëndësishme që të gjithë personat që kanë simptoma të gripit dhe të cilët eventualisht kanë histori të udhëtimit në vendet ku është konfirmuar prezenca e koronavirusit, të paraqitën në klinikë.

Kujtojmë që për koronavirusi fillimisht është raportuar në Kinë në dhjetor të vitit kaluar, ndërkohë që deri tani numri i personave që kanë vdekur vetëm në Kinë, ka arritur në rreth 2 mijë e 600.

Virusi i cili tashmë ka infektuar rreth 80 mijë persona është përhapur në rreth 30 vende të botës, ndërsa në Evropë shpërthimi më i madh i virusit është në Itali, ku ka rreth 280 të infektuar dhe shtatë persona të vdekur tashmë.

Koronavirusi shkakton simptome të ngjashme me pneumoninë dhe ende nuk ka vaksinë për të./